Dy qyteza egjiptiane goditen me predha, ka të lënduar - NACIONALE

Dy qyteza egjiptiane goditen me predha, ka të lënduar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Predhat goditën dy qyteza egjiptiane në bregdetin e Detit të Kuq të premten, duke lënduar disa persona, thanë burimet dhe zyrtarët, duke e shfaqur rrezikun e eskalimit rajonal nga konflikti Izrael – Hamas.

Shpërthimet ndodhën në Taba, në kufirin e Egjiptit me Izraelin, dhe në Nuweiba, rreth 70 kilometra më larg, i thanë agjencisë “Reuters” dy burime egjiptiane të sigurisë, duke shtuar se ende ishin duke grumbulluar të dhëna.

Nuk pati marrje të përgjegjësisë nga ndonjë grup, por mediumi i lidhur me shtetin, “Al-Qahera News”, tha se raketa që e goditi qytezën Taba dukej se ishte e ndërlidhur me luftimet mes militantëve të Hamasit dhe ushtrisë izraelite përreth Gazës, rreth 220 kilometra larg.

Ministria e Shëndetësisë e Egjiptit tha se gjashtë persona u lënduan në Taba, ndërsa katër prej tyre tashmë ishin liruar nga spitali, pasi një objekt ambulantor dhe një ndërtesë banimi ishin goditur.

Dëshmitarët në të dyja vendet, që kërkuan të mos u publikoheshin emrat, i konfirmuan shpërthimet dhe tymin që doli pas tyre. Ushtria izraelite tha se ishte e vetëdijshme për një incident të sigurisë jashtë kufijve të Izraelit.

Qytezat Taba dhe Nuweiba shtrihen në Gadishullin e Sinait dhe janë qendra të njohura turistike.

Duke u kufizuar me Gazën e Izraelin, Egjipti është i shpërfaqur ndaj konfliktit që shpërtheu pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.

Egjipti në mënyrë të dukshme ka bërë fushatë për lejimin e hyrjes së ndihmave humanitare në Gaza, për lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi dhe për arritjen e një armëpushimi mes palëve.

Fundjavën e kaluar, disa roja kufitare egjiptiane u lënduan, pasi u goditën gabimisht nga copëzat e një predhe të një tanku izraelit. Izraeli kërkoi falje për incidentin.

Lajme të ngjashme