Dy deputetë gjermanë do ta vizitojnë Rusinë, njëri do ta takojë Medvedevin
Dy ligjvënës të partisë gjermane të së djathtës ekstreme, AfD, do të udhëtojnë javën e ardhshme për në Rusi, edhe pse po kritikohen ashpër nga kundërshtarët për lidhjet e partisë me Kremlinin dhe po ballafaqohen me akuza – të mohuara fuqishëm – se ky grup mund të përçojë të dhëna të ndjeshme ushtarake.
Dy politikanët e AfD-së, partia më e madhe opozitare në Gjermani, do të udhëtojnë për në Soçi për të marrë pjesë në një samit për bashkëpunimin mes Evropës dhe BRICS-it, grup i ekonomive në zhvillim ku përfshihen Rusia, Brazili, India, Kina dhe Afrika e Jugut, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Politikanët e AfD-së kanë vazhduar që të mbajnë lidhje me Rusinë pavarësisht luftës së saj në Ukrainë dhe i kanë kritikuar përkrahjen ushtarake gjermane për Kievin si dhe sanksionet perëndimore ndaj Moskës.
Partia e klasifikuar si “ekstremiste” dhe kërcënim ndaj demokracisë nga agjencia gjermane për inteligjencë të brendshme i kundërshton akuzat për bashkëpunim me Rusinë.
“E konsideroj mision personal që të përdor çdo mjet demokratik legjitim të debatit të hapur për ta ndihmuar parandalimin e çfarëdo përshkallëzimi të konfliktit me Rusinë në territorin e NATO-s dhe në vetë Gjermaninë” – tha Rainer Rothfuss, njëri nga dy deputetët që do të udhëtojnë në Rusi.
Rothfuss pritet të marrë pjesë në një takim me ish-presidentin rus, Dimitry Medvedev, i cili tani e mban postin e nënkryetarit të Këshillit të Sigurisë të Rusisë, raportuan mediat gjermane.
Medvedevi vetë nuk do të marrë pjesë në samit, por do t’i ftojë të gjithë pjesëmarrësit në një diskutim të mbyllur një natë më parë, tha deputeti Rothfuss.
Ambasada e Rusisë në Berlin nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
“Ka të bëjë me çështjet ekonomike në kontekstin e BRICS-it – jo takim me zyrtarë qeveritarë nga Moska” – tha shefi i grupit parlamentar të AfD-së, Stefan Keuter.
Drejtori i shërbimit gjerman për inteligjencë të brendshme javën e kaluar paralajmëroi se Rusia po mundohej që të ushtronte ndikim në politikën gjermane, duke u përpjekur që të kultivojë kontakte posaçërisht me grupet ekstreme – majtiste e djathtiste./Nacionale