Dy burime thonë se bisedimet për armëpushim në Gaza janë afër një “rezultati domethënës”
Bisedimet e zhvilluara në Kajro për arritjen e një armëpushimi në Gaza janë buzë një “rezultati domethënës”, i thanë të hënën agjencisë së lajmeve “Reuters” dy burime egjiptiane të sigurisë.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Izraeli dhe Hamasi. Reporteri i mediumit amerikan “Axios”, Barak Ravid, tha në një shkrim të shkurtër në rrjetin X se një zyrtar izraelit e ka mohuar rezultatin e raportuar, pa dhënë hollësi të mëtejme, raporton agjencia “Reuters”.
Burimet egjiptiane thanë se kishte një konsensus për një armëpushim afatgjatë në enklavën e rrethuar, por ende mbeten disa çështje pa u zgjidhur, përfshirë armët e Hamasit.
Raportohet se Hamasi ka thënë që nuk është i gatshëm t’i ulë armët – kërkesë kyçe nga Izraeli.
Më herët, televizioni egjiptian me lidhje shtetërore, “Al Qahera TV”, raportoi se shefi i inteligjencës egjiptiane, Hassan Mahmoud Rashad, pritej të takohej të hënën në Kajro me një delegacion izraelit të udhëhequr nga ministri i Punëve Strategjike, Ron Dermer.
Sipas burimeve, në bisedimet që po vazhdojnë janë të përfshira delegacionet nga Egjipti e Izraeli. Egjipti e Katari, shtete ndërmjetësuese, nuk raportuan për zhvillime në bisedimet më të reja.
Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, tha të dielën se në një takim të mbajtur rishtazi në Doha rreth përpjekjeve për armëpushim u arrit ca progres, por theksoi se ende nuk kishte marrëveshje për mënyrën se si të përfundojë lufta.
Ai shtoi se Hamasi është i gatshëm që t’i lirojë të gjitha pengjet e mbetura izraelite, nëse Izraeli i jep fund luftës në Gaza. Megjithatë, Izraeli dëshiron që Hamasi t’i lirojë pengjet pa ofruar një vizion të qartë rreth përfundimit të luftës, tha më tej kryeministri i Katarit.
Këshilltari për media i udhëheqësisë së Hamasit, Taher Al-Nono, i tha agjencisë “Reuters” të shtunën se ky grup është i hapur për një armëpushim të gjatë me vite me Izraelin në Gaza, duke shtuar se Hamasi shpreson që të sigurojë mbështetje nga ndërmjetësit për ofertën e vet.
Izraeli e rinisi ofensivën ushtarake në Gaza më 18 mars pas shembjes së armëpushimit të arritur në janar, duke thënë se do ta vazhdojë presionin ndaj Hamasit derisa grupi t’i lirojë pengjet e mbetura në enklavë. Besohet se 24 prej tyre janë ende gjallë./Nacionale