Dy autobusë me mbi 50 persona bien në lumë pas rrëshqitjes së dheut në Nepal
Rrëshqitja e dheut e shkaktoi rënien e dy autobusëve me më shumë se 50 persona në një lumë me nivel të ngritur të ujit në pjesën qendrore të Nepalit të premten herët, ndërsa reshjet e vazhdueshme dhe rrëshqitja e dheut po i bëjnë të vështira përpjekjet për shpëtim.
Tre të mbijetuar duket se ia dolën që të arrinin në vend të sigurt, por shpëtuesit deri në mëngjesin e vonë nuk kishin gjetur ndonjë shenjë të autobusëve, të cilët me gjasë ishin fundosur dhe ishin marrë me vete nga rrjedha e Lumit Trishuli, raporton agjencia “Associated Press”.
Lumenjtë e Nepalit përgjithësisht kanë rrjedhë të shpejtë për shkak të terrenit malor. Reshjet e dendura të shiut në sezonin e reshjeve ditëve të fundit e kanë shkaktuar ngritjen e nivelit të ujit në lumenj dhe e kanë shndërruar ngjyrën e ujit në të kaftë, duke e bërë edhe më të vështirë gjetjen e mbetjeve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Rabi Lamichhane, i tha Kuvendit se 51 pasagjerë ishin të zhdukur dhe mbi 500 punëtorë shpëtimi janë angazhuar në operacionin e kërkimit.
Në pjesë të tjera të vendit, 17 persona kanë vdekur e tre të tjerë janë lënduar nga rrëshqitja e dheut në distrikte të ndryshme gjatë 24 orëve të kaluara, shtoi ministri.
Autobusët ndodheshin në autostradën kyçe që e lidh kryeqytetin me pjesët jugore të Nepalit, kur ranë në lumë rreth orës 3 të mëngjesit afër Simaltalit, rreth 120 kilometra në perëndim të kryeqytetit Kathmandu.
Administratori qeveritar, Khima Nanada Bhusal, tha se raste të tjera të rrëshqitjes së dheut bllokuan rrugë të zonës në disa vende.