Duntsovës, që e premtoi fundin e luftës, i ndalohet gara për presidente të Rusisë - arsyetimi qesharak
Ish-gazetares televizive, Yekaterina Duntsova, të shtunën iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale kundër Vladimir Putinit në Rusi në mars të vitit të ardhshëm për shkak të gabimeve të pretenduara që ajo gjoja i kishte bërë në aplikimin për t’u regjistruar si kandidate.
Në një video të takimit të anëtarëve të komisionit qendror zgjedhor shihen zyrtarët duke votuar njëzëri për ta refuzuar kandidaturën e Dutnsovës, raporton agjencia “Reuters”.
Kryetarja e komisionit qendror zgjedhor, Ella Pamfilova, më pas u shfaq duke i thënë fjalë ngushëlluese Duntsovës.
“Ti je grua e re, ke gjithçka përpara. Secili minus gjithmonë mund të shndërrohet në plus. Çfarë përvoje është prapëseprapë përvojë”- tha Pamfilova.
Në dokumentet e publikuara në kanalin e fushatës së Duntsovës thuhet se komisioni i kishte theksuar ato që i kishte cilësuar si mungesë e nënshkrimeve të duhura.
Ky vendim erdhi vetëm tri ditë pas paraqitjes së dokumenteve nga Duntsova në komision. Ajo kishte planifikuar që të garonte për presidente të Rusisë me premtimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për t’i liruar të burgosurit politikë.
Kremlini ka thënë se presidenti Putin do të fitojë në zgjedhje, sepse ai gëzon përkrahje të sinqertë në mbarë shoqërinë dhe se anketat tregojnë që rreth 80 për qind e popullit e përkrah atë.