Duma Shtetërore e Rusisë e miraton tërheqjen nga pakti për plutoniumin me ShBA-në - NACIONALE

Duma Shtetërore e Rusisë e miraton tërheqjen nga pakti për plutoniumin me ShBA-në

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Dhoma e ulët e Kuvendit të Rusisë, Duma Shtetërore, të mërkurën miratoi një lëvizje për tërheqjen e vendit nga një marrëveshje e shquar me Shtetet e Bashkuara me të cilën synohet zvogëlimi i rezervave të mëdha të plutoniumit të shkallës ushtarake që ka mbetur nga mijëra koka bërthamore të Luftës së Ftohtë.

Me marrëveshjen për Menaxhimin dhe Flakjen e Plutoniumit (PMDA), e nënshkruar në vitin 2000, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zotohen për të hequr qafe të paktën 34 tonë të plutoniumit të shkallës së armëve secila. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se kjo sasi do të mjaftonte për 17 mijë koka bërthamore. Pakti ka hyrë në fuqi në vitin 2011, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë disa hapa të rinj kundër Rusisë që në thelb e ndryshojnë baraspeshën strategjike që kishte ngadhënjyer në kohën e PMDA-së dhe krijojnë rreziqe shtesë ndaj stabilitetit strategjik” – thuhet në një shkresë ruse në legjislacionin për tërheqjen e Rusisë nga pakti.

Pas çmontimit të mijëra kokave bërthamore pas Luftës së Ftohtë, Moskës dhe Uashingtonit u kishin mbetur rezerva të mëdha të plutoniumit të shkallës së armëve. Kjo sasi kishte kosto të lartë për t’u ruajtur dhe paraqiste rrezik potencial për pasurim bërthamor.

Qëllimi i marrëveshjes PMDA ishte që plutoniumi i shkallës së armëve të shndërrohej në forma më të sigurta, si karburant me oksid të përzier (MOX) ose përmes çrrezatimit të plutoniumit në reaktorë me neutrone të shpejta për prodhim të energjisë.

Rusia në vitin 2016 e kishte pezulluar zbatimin e marrëveshjes, duke i përmendur si arsye sanksionet nga ShBA-ja dhe ato që i quan veprime jomiqësore kundër Moskës, zgjerimin e NATO-s dhe ndryshimet në mënyrën se si Shtetet e Bashkuara po e hiqnin qafe plutoniumin e tyre.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë bindshëm dy fuqitë më të mëdha bërthamore në botë dhe së bashku kanë nën kontroll rreth 8.000 koka bërthamore, edhe pse dukshëm më pak se kulmi prej 73 mijë sosh më 1986, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë./Nacionale

Lajme të ngjashme