“Duhet të shkëmbejmë njerëz, jo toka”: Ukrainasit protestojnë para ambasadës amerikane
Dhjetëra ukrainas u mblodhën para ambasadës amerikane në Kiev para samitit mes presidentëve të ShBA-së e Rusisë, Donald Trump e Vladimir Putin, duke bërë thirrje për shkëmbim të njerëzve e jo të territoreve, përderisa shprehën ndjenja zemërimi e shqetësimi.
Rreth 100 persona morën pjesën në protestën para takimit të nivelit të lartë në Alaskë. Ata kërkuan që të gjithë të burgosurit në Rusi të lirohen, raporton televizioni CNN.
Duke raportuar nga vendi i ngjarjes, korrespondenti i televizionit CNN për lajme ndërkombëtare, Ben Wedeman, tha se disa prej protestuesve kishin të afërm që po mbahen në burgje ruse ose që janë zhdukur që nga viti 2014, kur forcat ruse e pushtuan Gadishullin e Krimesë.
Protestuesit mbanin në duar pankarta – shumë prej tyre në gjuhën angleze, duke lënë të kuptohej se donin t’i dërgonin porosi audiencën amerikane – përfshirë një në të cilën shkruhej “Jo shkëmbim tokash – ne kërkojmë shkëmbim të të burgosurve të luftës për të gjithë”.
Organizatorët gjithashtu i dorëzuan një letër ambasadës, për të cilën shpresojnë se do të arrijë në duart e presidentit amerikan.
Valentina Vyhinna, 62 vjeçe, iu bashkua protestës, sepse biri i saj ishte marrë nga rusët në fabrikën e çelikut “Azovstal” në Mariupol në maj të vitit 2022.
“Ukraina duhet të jetë e pranishme në bisedime” – tha ajo. “Trumpi duket se po lëshohet një rruge me dy drejtime – kurrë nuk e dini se çfarë do të vendosë. Shpresojmë për më të mirën” – shtoi nëna ukrainase.
Denys Nerovnyi, 25 vjeç, u lirua muajin e kaluar pas tre vjetëve në duar të rusëve. “Nuk mendoj se Putini dhe Trumpi do të pajtohen për ndonjë gjë sot” – tha ai./Nacionale