Drejtori i OBSh-së thotë se në Gaza është zbuluar poliomieliti
Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha të mërkurën se poliomieliti është zbuluar në Gaza dhe paralajmëroi se fëmijët në enklavën e goditur nga lufta së shpejti do të preken nga kjo sëmundje, nëse nuk ndërmerren shpejt masa parandaluese.
Një ditë pasi OBSh-ja tha se “me shumë gjasë” kishte raste të poliomielitit në mesin e popullsisë së Gazës, drejtori i organizatës e shfrytëzoi rrjetin X për të shprehur shqetësim rreth kostos njerëzore të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, raporton agjencia “Reuters”.
“Zbulimi i poliomielitit në Gaza është një përkujtues tjetër i kushteve të llahtarshme me të cilat po ballafaqohet popullsia” – shkroi Ghebreyesus në rrjete sociale. “Vazhdimësia e konfliktit i pengon përpjekjet për t’i identifikuar dhe për t’iu kundërpërgjigjur rreziqeve të parandaluesve si poliomieliti” – shtoi ai.
Zyrtari i lartë i OBSh-së e lidhi shkrimin e tij me një artikull që e kishte publikuar të martën në gazetën “Le Monde”, në të cilin kishte thënën se virusi i poliomielitit ishte vërejtur në mostra të ujërave të zeza në Gaza.
Në artikull, drejtori i OBSh-së shkroi se edhe pse asnjë rast i poliomielitit nuk ishte regjistruar ende, “nëse nuk ndërmerren veprime të menjëhershme, është vetëm çështje kohe para se sëmundja të arrijë te mijëra fëmijë të pambrojtur” atje.
Poliomieliti, që përhapet kryesisht rrugës fekale – gojë, është virus shumë ngjitës që mund të futet në sistemin nervor dhe të shkaktojë paralizë dhe vdekje të fëmijëve të vegjël.
Rastet e poliomielitit kanë shënuar rënie për 99 për qind në nivel botëror nga viti 1988 falë fushatave masive të vaksinimit dhe përpjekjeve për ta çrrënjosur atë.
OBSh-ja do të dërgojë më shumë se një milion vaksina kundër poliomielitit në Gaza për t’u shpërndarë në javët e ardhshme që të parandalohet infektimi i fëmijëve, tha drejtori i kësaj organizate.