Drama me banane: Studenti i Koresë së Jugut e han veprën e artit 120 mijë dollarëshe - NACIONALE

Drama me banane: Studenti i Koresë së Jugut e han veprën e artit 120 mijë dollarëshe

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një instalacion i njohur i artistit Italian Maurizio Cattelan – një banane e ngjitur në mur – tashmë nuk ekziston, pasi është ngrënë nga një student arti i Koresë së Jugut.

Noh Huyn-soo është filmuar duke hequr bananen, e cila ishte ngjitur me shirit në një mur në Muzeun e Artit Leeum në Seul, dhe duke e ngrënë atë para shikuesve të habitur përpara se ta ringjiste lëkurën e bananes në mur duke përdorur të njëjtin ngjitës.

I pyetur për veprimin e tij, ai kishte thënë se e kishte ngrënë sepse ishte “i uritur”.

The Guardian raporton se incidenti ishte regjistruar nga një mik i Noh dhe kishte zgjatur më shumë se një minutë, ndërsa bëhet e ditur se Noh ka thënë: “Mendova se do të ishte interesante ... a nuk është ngjitur atje për t'u ngrënë?"

Banania, pjesë e instalacionit Comedian të Cattelan, zëvendësohet çdo dy ose tre ditë.

Cattelan, një skulptor dhe artist i performancës me bazë në Nju Jork, thuhet se është informuar për incidentin dhe thjesht është përgjigjur duke thënë se: "Nuk ka problem".

Cattelan, i cili ka lindur në Padova, është gjithashtu i njohur për veprat provokuese të artit që sfidojnë kulturën popullore. Njëra - një tualet ari 18 karat i quajtur America me vlerë 1 milion funte – ka bërë titujt kryesorë shtatorin e kaluar pasi ishte hequr nga muri i ekspozitës gjatë një grabitjeje gjatë natës në Pallatin Blenheim në Oxfordshire.

Ndërkohë, edhe një skulpturë tjetër me gishtin e mesëm nga Cattelan – e njohur si Il Dito (gishti) por e quajtur zyrtarisht L.O.V.E – përballë bursës në Milano në janar u vandalizua nga aktivistët mjedisorë.

Lajme të ngjashme