“Dorëzim; katastrofë”: Dy ministra izraelitë dalin kundër paktit për armëpushim në Gaza
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është duke u ballafaquar me kërcënime me dorëheqje nga krahu djathtist i koalicionit qeveritar, pjesëtarët e të cilit e kanë quajtur “dorëzim” para Hamasit marrëveshjen e mundshme për armëpushim në Gaza.
Në një shkrim të publikuar në rrjetin X, ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben Gvir, tha se një marrëveshje “praktikisht do t’i fshinte arritjet e luftës që janë fituar me shumë gjak nga luftëtarët tanë”, raporton televizioni BBC.
Ai i bëri thirrje Netanyahut që ta ndërpresë hyrjen e ndihmave, karburantit dhe ujit në Gaza dhe t’i vazhdojë operacionet ushtarake derisa Hamasit të mposhtet tërësisht.
Ben Gviri mori merita për parandalimin e arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi “përsëri e përsëri” gjatë vitit të kaluar përmes presionit politik.
Kundër paktit të mundshëm doli edhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, i cili marrëveshjen potenciale e cilësoi “katastrofë” për sigurinë kombëtare të Izraelit dhe bëri thirrje për pushtimin e Gazës derisa Hamasi të mposhtet dhe pengjet të kthehen në shtëpi.
Nëse partitë e këtyre dy ministrave tërhiqen nga koalicioni qeveritar, administrata e Netanyahut do të bëhej qeveri e pakicës dhe e ndjeshme ndaj rrëzimit përmes mocionit të mosbesimit, sipas korrespondentit të BBC-së për Lindjen e Mesme, Emir Nader, i cili raportoi nga Jerusalemi.