Dollari amerikan i afrohet vlerës më të lartë në gati dy vjet
Vlera e dollarit amerikan të premten ishte afër pikës më të lartë në dy vjet përballë disa valutave të tjera, përderisa investitorët po presin që dallimi mes rritjes ekonomike në ShBA dhe në pjesë të tjera të botës do të zgjerohet dhe kompanitë solide kineze e pësuan rënien më të rëndë javore që nga viti 2022.
Indeksi i dollarit, ku valuta përcillet përballë vlerës së gjashtë valutave të tjera, e arriti nivelin më të lartë të enjten që nga nëntori i vitit 2022, ndërsa euroja ra në 1,02 dollar, gjithashtu niveli i saj më i ulët që nga viti 2022. Edhe vlerat e funtës dhe jenit japonez ranë në pikat më të ulëta në shumë muaj, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Vlera e dollarit u rrit në fund të vitit të kaluar, pasi investitorët pritën që politikat e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, do ta nxitin rritjen dhe inflacionin, që do të thotë më pak ulje të shkallës së interesit nga Rezerva Federale dhe rritje më të lartë nga Thesari, kur bankat qendrore evropiane duken të vendosura që ta vazhdojnë uljen e shkallës së interesit.
“Përpos implikimeve të proteksionizmit amerikan nën Trumpin, ne mendojmë se presioni po shtohet nga rritja (e çmimeve të gazit) e shkaktuar nga ndalja e gazjellësit nga Ukraina” – tha Francesco Pesole, analist i valutave në ING.
Çmimet e gazit me shumicë në Evropë janë gati më të lartat në më shumë se një vit, kur temperaturat po ulen, nivelet e gazit në dispozicion janë më të ulëta dhe në kohën kur ka skaduar një marrëveshje dekadëshe me të cilën Rusia i ka dërguar gaz Evropës përmes territorit të Ukrainës.