Djaloshi 6-vjeçar e qëllon me armë mësuesen në ShBA
Një djalë 6-vjeçar është ndaluar nga policia, pasi ka qëlluar me armë një mësuese në Virgjinia të Shteteve të Bashkuara, thonë policët.
Rasti ndodhi pak pas orës 14:00 sipas kohës lokale në shkollën fillore “Richneck” në qytetin Newport News, tha zyrtari policor, Steve Drew.
Nuk është e qartë se si e kishte siguruar armën fëmija, por zyrtari policor tha se incidenti nuk ishte “e shtënë aksidentale”, shkruan BBC.
Mësuesja, emri i së cilës nuk është publikuar dhe për të cilën thuhet se është në të tridhjetat, ka pësuar lëndime që ia rrezikojnë jetën.
Ajo është dërguar në një spital lokal dhe po vëzhgohet me kujdes nga mjekët. Incidenti ndodhi në një dhomë për fëmijët e klasës së parë pas një grindjeje mes fëmijës e mësueses.
Sidoqoftë, policia tha se sulmi me armë ishte incident i izoluar dhe theksoi se policët “nuk patën situatë në të cilën dikush po sillej përreth shkollës duke shtënë”.
Zyrtarët thanë se përderisa shkolla ka pajisje për zbulimin e objekteve të metalta, nxënësit ishin kontrolluar në mënyrë të rëndomtë dhe se nuk ishte kontrolluar secili fëmijë.
Drejtori i shkollës, Dr. George Parker, tha se zyrtarët “do të hulumtojnë çfarëdo rasti që mund të ketë ndodhur e që mund ta ketë shkaktuar këtë incident”.
“Kjo është e tmerrshme, diçka si kjo nuk duhet të ndodhë kurrë. Ne duam që të sigurohemi se asgjë si kjo të mos ndodhë më”- shtoi ai.
