Disidentët iranianë thonë se klerikët nuk do të rrëzohen nga pushteti me bombardime
Një zyrtar i lartë nga një grup opozitar iranian me bazë në Paris tha të enjten se lufta amerikano-izraelite ndaj Iranit nuk do ta rrëzojë udhëheqësinë e përbërë nga klerikët, duke argumentuar se një gjë e tillë do të arrihej vetëm me një kryengritje popullore, e mbështetur nga rezistenca e brendshme.
Gati dy javë me bombardime kanë lënë të vrarë rreth 2.000 njerëz në Iran, përfshirë ish-liderin suprem, Ayatollah Ali Khamenei, dhe kanë dëmtuar një pjesë të madhe të ushtrisë dhe aparatit shtetëror të sigurisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Irani është kundërpërgjigjur, duke shkaktuar kaos në tregjet globale të energjisë e në transportin detar, si dhe duke e përhapur konfliktin në Lindjen e Mesme, ndërsa Roja Revolucionare e ka forcuar dorën e vet në pushtet dhe ka kërcënuar se do të shtypë çfarëdo kryengritjeje.
“Lufta 12-ditore në qershor [të vitit të kaluar] dhe lufta e tanishme, që tani është në ditën e 12-të, dëshmuan se bombardimet nuk mund ta rrëzojnë regjimin” – tha në një konferencë për gazetarë Mohammad Mohaddesin, drejtor për politikë të jashtme në Këshillin Kombëtar të Rezistencës të Iranit (NCRI).
“Edhe nëse keni 50.000 ushtarë të armatosur në terren, ju nevojitet mbështetja e popullit iranian. Ju duhet një kryengritje popullore. Kombinimi i këtyre 50.000 [ushtarëve] ose 20.000 ose cilitdo numri tjetër me një kryengritje popullore, atëherë e keni atë fuqinë për ta rrëzuar regjimin” – shtoi ai.
Më tej, Mohaddesin-i tha se nuk e konsideron si realist dislokimin e trupave tokësore amerikane në Iran.
NCRI-ja, e njohur edhe me emrin Mujahideen-e-Khalq, ndodhej në listën e ShBA-së për organizata terroriste deri në vitin 2012.
Ajo është e ndaluar në Iran dhe është e paqartë se çfarë niveli të mbështetjes ka atje. Megjithatë, bashkë me rivalin e ashpër, Reza Pahlavi, i biri në ekzil i shahut të rrëzuar nga pushteti, NCRI-ja është ndër grupet e pakta opozitare që është në gjendje të grumbullojë mbështetës.
Mohaddesin-i pranoi se vetëm grupi i tij nuk mund t’i rrëzojë ata që janë në pushtet në Iran, por shtoi se protestat masive, si ato që shpërthyen në janar derisa u shtypën në mënyrë të përgjakshme, do të rinisin porsa të ndalen bombardimet dhe eventualisht mund ta ndryshojnë baraspeshën e forcave.
“Nuk mund të them se për sa muaj apo një vit, por... kjo është rruga për rrëzimin e regjimit” – tha ai./Nacionale