Disa vende arabe thuhet se kanë kërkuar ndryshime në planin e Trumpit për Gazën - NACIONALE

Disa vende arabe thuhet se kanë kërkuar ndryshime në planin e Trumpit për Gazën

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Disa shtete arabe dhe Autoriteti Palestinez kanë kërkuar ndryshime në planin e presidentit amerikan, Donald Trump, për përfundimin e luftës në Gaza, sipas televizionit izraelit “Channel 12”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë pritet t’ia paraqesë planin për Gazën kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Në raportin e televizionit izraelit thuhet se vendet arabe dhe Autoriteti Palestinez po kërkojnë që të zbutet gjuha ku thuhet se Hamasi do të çarmatoset dhe, në vend të kësaj shprehjeje, të thuhet se nga Hamasi do të kërkohet që t’i dorëzojë armët e veta.

Këto vende gjithashtu po kërkojnë që qeveria e menjëhershme e pasluftës të jetë më qartazi e rreshtuar me Autoritetin Palestinez.

Autoriteti Palestinez dhe shtetet arabe gjithashtu po kërkojnë se cilado forcë paqeruajtëse ndërkombëtare që angazhohet, të dislokohet përgjatë kufirit me Izraelin e jo brenda Gazës. Në raport thuhet se kjo kërkesë duket se ka ardhur nga Hamasi.

Më tej, në raport thuhet se Autoriteti Palestinez dhe Katari janë ankuar në lidhje me marrjen e ndonjë roli nga ish-kryeministri britaniak, Tony Blair, në mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes.

Ndërkohë, ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, i cili njihet për qëndrimet e së djathtës ekstreme, tha se e ka njoftuar kryeministrin Benjamin Netanyahu për “vijat e kuqe” të partisë së tij para takimit të Netanyahut me presidentin amerikan.

Në një deklaratë, ministri Smotrich tha se vijat e kuqe të partisë së tij “e përfshijnë përfundimin e luftës vetëm me çmontimin dhe demilitarizimin e plotë dhe të vërtetë të Hamasit dhe të Rripit të Gazës”.

Lajme të ngjashme