Disa shtete të Lindjes së Mesme e dënojnë planin e Izraelit për ta marrë nën kontroll Qytetin Gaza - NACIONALE

Disa shtete të Lindjes së Mesme e dënojnë planin e Izraelit për ta marrë nën kontroll Qytetin Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari e kanë dënuar planin e Izraelit për ta marrë kontrollin ushtarak të Qytetit Gaza, duke paralajmëruar se ky projekt do të sjellë “pasoja katastrofike”.

Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite tha se e dënon “këmbënguljen për të kryer krime të vdekjes nga uria ndaj civilëve, sjelljen kafshërore dhe spastrimin etnik kundër vëllezërve tanë palestinezë”, raporton televizioni CNN.

“Idetë dhe vendimet çnjerëzore shpesh të zbatuara pa nevojë nga autoritetet e pushtimit izraelit dëshmojnë, edhe një herë tjetër, se ata nuk e kuptojnë marrëdhënien ekzistenciale, historike dhe ligjore që vëllezërit tanë palestinezë e kanë me atë tokë dhe se populli palestinez e ka të drejtën ndaj saj në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut” – tha kjo ministri.

Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se vendimi i Izraelit do të çojë në “pasoja katastrofike, përfshirë humbjen e mëtejme të jetëve të pafajshme dhe përkeqësimin e krizës humanitare në Gaza”.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kërkuan nga Kombet e Bashkuara që të ndërmarrin veprime.

Edhe Ministria e Jashtme e Katarit e dënoi planin izraelit, duke bërë thirrje për “kundërshtim të vendosur ndaj shkeljeve të vazhdueshme të së drejtës humanitare ndërkombëtare nga Izraeli”.

Të tria këto shtete e ripohuan përkrahjen e tyre për arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete, e cila mbështetet edhe nga shumë vende perëndimore./Nacionale

Lajme të ngjashme