Disa pronarëve të veturave “Tesla” tani u vjen turp që i vozisin ato - NACIONALE

Disa pronarëve të veturave “Tesla” tani u vjen turp që i vozisin ato

1 javë më parë

nga NACIONALE

Përderisa miliarderi amerikan, Elon Musk, doli në mbështetje të Donald Trumpit dhe teorive të ndryshme konspirative të së djathtës ekstreme, ai ka lënë prapa vetes një grup të pronarëve të tmerruar të veturave “Tesla”, të cilët papritur ndihen të turpëruar nga veturat e tyre. Shumë prej tyre tashmë po e shfaqin publikisht pakënaqësinë e tyre ndaj Muskut në veturat që i kanë.

Shitja e letrave ngjitëse kundër Muskut është shtuar shumë që nga koha kur njeriu më i pasur në botë e shpalli përkrahjen për Trumpin dhe e ndihmoi që të shënonte fitore në zgjedhjet presidenciale amerikane, pasi një pjesë e pronarëve të veturave “Tesla”, kompani që drejtohet nga Musku, po mundohen që të distancohen nga qëndrimet e miliarderit të lindur në Afrikën e Jugut, raporton gazeta "The Guardian".

Musku, pasuria e të cilit vlerësohet rreth 314 miliardë dollar amerikanë, dikur konsiderohej hero i mjedisit dhe pionier i teknologjisë nga shumë liberal amerikanë, pasi e kishte shndërruar “Tesla”-n në kompaninë automobilistike me vlerën më të lartë në botë, ndërsa paralajmëronte se “ndryshimet klimatike janë rreziku më i madh me të cilin ballafaqohet njerëzimi këtë shekull, me përjashtim të inteligjencës artificiale”.

Megjithatë, reputacioni i tij në mesin e liberalëve që blejnë automjete elektrike u dëmtua, pasi ai e shfrytëzoi rrjetin X për të përhapur teori konspirative të së djathtës ekstreme dhe me entuziazëm e promovoi Trumpin, madje duke u paraqitur edhe në tubimet e tij dhe në operacionet e fushatës për grumbullimin e fondeve në shtete kyçe për garën.

“Ende e dua veturën time, por mendoj se mos po e përqafoj atë lloj sjelljeje, kur e vozis atë. Jam e turpëruar që e vozis këtë veturë pas zgjedhjeve, duke menduar për personin që qëndron prapa saj” – tha Mika Houston, mësuese e gjimnastikës në Las Vegas.

Pamela Perkins, fotografe që jeton në Silicon Valley, ka një veturë “Tesla Model Y”, por është në mesin e një grupi të miqve që po e shqyrtojnë shitjen e veturave.

“Do të mbush 80 vjet në janar, prandaj mendoja se do të kisha një veturë sportive me të cilën do të mund të garoja me këdo, kur të ndizet drita e gjelbër në semafor. Ishte një kohë, kur mendoja se Musku ishte gjeni, por ai u bë i keq shumë shpejt. Më kujtohet t’i kem thënë bashkëshortit që duhet ta shes këtë veturë dhe të përçoj një porosi, për ndërgjegjen time” – tha ajo./Nacionale

Lajme të ngjashme