Diplomatja ruse: Libri “1984” i Orwell-it kishte të bënte me liberalizmin, jo totalitarizmin - NACIONALE

Diplomatja ruse: Libri “1984” i Orwell-it kishte të bënte me liberalizmin, jo totalitarizmin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Diplomatja ruse Maria Zakharova thotë se ideja se libri ka të bëjë me totalitarizmin është "një nga gënjeshtrat më të mëdha globale", një pretendim ky i kontestuar nga përkthyesi rus.

Zakharova ka nxjerr pretendime se klasiku distopik i George Orwell-it, "1984" është shkruar për të përshkruar rreziqet e liberalizmit perëndimor, e jo totalitarizmit.

“Për shumë vite ne besuam se Orwell përshkruante tmerret e totalitarizmit. Kjo është një nga gënjeshtrat më të mëdha globale… Orwell shkroi për fundin e liberalizmit. Ai përshkroi sesi liberalizmi do ta çonte njerëzimin në një rrugë pa krye”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e ministrisë së jashtme të Rusisë, gjatë një fjalimi publik në Ekaterinburg.

Libri i botuar në vitin 1949, shihet si një përallë që paralajmëron pasojat e totalitarizmit dhe mbikëqyrjes masive. Besohet se Orwell në këtë roman ka modeluar një qeveri totalitare mbi Gjermaninë naziste dhe Rusinë staliniste.

Gjatë fjalimit të saj, diplomatja u pyet nga një anëtar i publikut se si duhet t’u përgjigje miqve dhe të afërmve të cilët sugjeronin se Rusia po jetonte një riprodhim modern të romanit të Orwell-it.

Ajo u përgjigj duke thënë se, "Orwell nuk shkroi për BRSS, nuk ishte për ne. Ai ka shkruar për shoqërinë në të cilën ka jetuar, për shembjen e ideve të liberalizmit. Dhe juve ju bënë të besonit se Orwell e shkroi atë për ju.”

Zakharova i sugjeroi pjesëtares së audiencës që t’u thoshte të afërmve të saj që jetonin jashtë vendit se, "jeni ju në perëndim që jetoni në një botë fantazie ku një person mund të vritet."

Kampanja agresive e medias shtetërore ruse për të justifikuar pushtimin e Ukrainës ka nxitur krahasime me një nga rreshtat më të njohur të librit “1984”, “ Lufta është paqe. Liria është skllavëri. Injoranca është forcë.”

Moska ka mobilizuar të gjithë forcën e makinës propaganduese që të portretizojnë pushtimin si një kampanjë mbrojtëse për “të liruar” Ukrainën, me autoritetet që kanë nxjerrë ligje të rrepta duke ndaluar përshkrimin e aksionit të vendit në Ukrainë si “luftë” apo “pushtim”.

Për shkak të përpjekjeve të Moskës, shitjet e librit “1984” kohët e fundit janë rritur ndjeshëm, me një librashitës që tha se ka dëshmuar rreth 75% ngritje në shitjen e tij.

Ka pasur gjithashtu prova anekdotike se ushtarët rusë që luftojnë në Ukrainë po lexojnë “1984.” Muajin e kaluar, pas tërheqjes së forcave ruse kur një çift ukrainas ishte kthyer në shtëpinë e tyre në Irpin, një qytet jashtë Kievit, ata zbuluan se një kopje e librit në gjuhën ruse ishte hequr nga rafti i tyre dhe qëndronte i hapur në divan, duke sjellë pretendime se mund të jetë lexuar nga ushtarët rusë.

Gjuhtari i shquar rus, Viktor Golyshev, që e kishte përkthyer romanin në rusisht, kundërshtoi pohimet e Zakharova-s, duke thënë se romani "nuk ishte aspak" për rënien e liberalizmit.

“Mendoj se është një roman për një shtet totalitar. Kur ai e shkroi atë, shtetet totalitare ishin tashmë në rënie, por midis luftës së parë dhe të dytë botërore, gjysma e Evropës kishte qeveri totalitare. Në atë kohë nuk kishte asnjë rënie të liberalizmit, aspak”, tha përkthyesi.

Kjo nuk ishte hera e parë që zyrtarët rusë sulmojnë liberalizmin. Edhe në vitin 2019, Putin tha për Financial Times se liberalizmi ishte “i vjetëruar”.

Edhe në vitin 2017, ndërsa Zakharova po krahasonte mediat kryesore të perëndimit me “Big Brother”- lideri i shtetit totalitar në romanin e Orwell, ajo e quajti gabimisht librin 1982.

Ndërkohë, autoritetet përtej kufirit, në Bjellorusi, vend që godet shoqërinë civile dhe lirinë e fjalës, javën e kaluar ndaluan librin “1984” ndërsa botuesëve vendas i’u kërkua që ta tërhiqnin nga raftet e tyre.

The Guardian

Lajme të ngjashme