Digjet autobusi i shkollës në Tajlandë, ka frikë për 25 të vdekur
Rreth 25 persona ka frikë se vdiqën të martën në Tajlandë, kur një autobus me nxënës e mësues që po shkonin në shëtitje në natyrë u kaplua nga flaka në periferi të kryeqytetit Bangkok. 16 pasagjerë janë dërguar në spital, thanë autoritetet qeveritare.
Policia nuk mundi ta konfirmonte menjëherë numrin e të vdekurve ose të të lënduarve, por ministri i Punëve të Brendshme, Anutin Charnvirakul, iu tha gazetarëve se rreth 25 njerëz besohet se e kanë humbur jetën, pa dhënë hollësi, raporton agjencia “Reuters”.
Gjashtëmbëdhjetë nxënës e tre mësues u dërguan në spital për trajtim, tha ministri i Transportit, Suriya Juangroongruangkit, duke shtuar se shkaktarët e incidentit ende ishin duke u hetuar.
Në disa fotografi të hershme, të publikuara në rrjete sociale nga mediat lokale shihej tymi i dendur duke dalë nga autobusi, disa pjesë të të cilit ishin ende duke u djegur.
Zjarri u fik më vonë. Një fotograf i agjencisë “Reuters” pa kamionë të zjarrfikësve, automjete të policisë e të shpëtimit të parkuara përreth autobusit të bërë shkrumb.
Kryeministrja Paetongtarn Shinawatra tha se nxënësit ishin në një shëtitje në natyrë nga provinca Uthai Thani, rreth 250 kilometra në veri të kryeqytetit.
“Si nënë, do të doja t’ua shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjeve” – shkroi ajo në rrjetin X.