Dhoma e Përfaqësuesve e miraton masën që do ta detyronte Bidenin për t’i dërguar armë Izraelit - NACIONALE

Dhoma e Përfaqësuesve e miraton masën që do ta detyronte Bidenin për t’i dërguar armë Izraelit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara, ku shumicën e ulëseve e kanë republikanët opozitarë, të enjten miratoi një projektligj që do ta detyronte presidentin Joe Biden për t’i dërguar armë Izraelit, me synimin që të qortohet kreu i Shtëpisë së Bardhë për vonimin e dërgimit të bombave, përderisa po i bën thirrje Izraelit që të bëjë më shumë për mbrojtjen e civilëve gjatë luftës kundër Hamasit.

Akti për Mbështetjen e Asistencës së Sigurisë për Izraelin u përkrah nga 224 ligjvënës të Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa 187 të tjerë ishin kundër legjislacionit. Ndarja ishte kryesisht në vija partiake. 16 demokratë iu bashkuan republikanëve në përkrahje të projektligjit, ndërsa tre republikanë u bënë bashkë me demokratët për ta kundërshtuar këtë masë, raporton agjencia “Reuters”.

Kjo masë nuk pritet që të shndërrohet në ligj, por miratimi i saj në dhomën e ulët të Kongresit e vë në pah përçarjen e thellë në vitin e zgjedhjeve në ShBA rreth politikave për Izraelin, përderisa qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu po synon që t’i zhdukë militantët që e sulmuan vendin e tij më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1.200 njerëz e duke marrë peng mbi 250 të tjerë, sipas shifrave të ofruara nga autoritetet izraelite.

Në anën tjetër, autoritetet palestineze thonë se të paktën 35 mijë e 272 civilë janë vrarë gjatë fushatës ushtarake izraelite në Gaza. Kequshqyerja është shumë e përhapur dhe një pjesë e madhe e popullsisë së enklavës ka mbetur pa strehim e infrastruktura është shkatërruar.

Republikanët e akuzuan Bidenin se ia ka kthyer shpinën Izraelit pas ballafaqimit me protesta të gjera pro-palestineze.

“Ky është një vendim katastrofal me implikime globale. Është qartazi duke u bërë si përllogaritje politike dhe ne nuk mund ta lejojmë këtë që të qëndrojë” – tha të mërkurën në një konferencë për gazetarë kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili është anëtar i Partisë Republikane në opozitë.

Izraeli prapëseprapë pritet që të marrë armë amerikane me vlerë të miliarda dollarëve, pavarësisht nga shtyrja e një dërgese të bombave 907-kilogramëshe dhe rishikimit të dërgesave të tjera të armëve nga administrata e Bidenit.

Të martën, Departamenti i Shtetit dërgoi një pako 1-miliardëshe të ndihmës ushtarake për Izraelin në procesin e shqyrtimit nga Kongresi, thanë zyrtarë amerikanë.

Lajme të ngjashme