Dhjetëra të vrarë nga trazira në një burg në Mozambik
Dhjetëra njerëz u vranë gjatë një trazire në një burg në Mozambik në ditën e Krishtlindjeve, thanë autoritetet.
Raportohet se 33 njerëz mbetën të vdekur e 15 të tjerë u lënduan nga trazira që ndodhi në burgun e sigurisë maksimale në kryeqytetin Maputo, sipas komandantit të përgjithshëm të policisë, Bernardino Rafael, raporton gazeta “The Guardian”.
Rreth 1 mijë e 530 të burgosur ikën nga burgu gjatë incidentit, por 150 prej tyre tashmë janë rikapur, shtoi zyrtari policor.
Shteti i Afrikës Lindore është duke u ballafaquar me kryengritje civile që po përshkallëzohet, e lidhur me zgjedhjet e kontestuara të tetorit, me të cilat iu zgjat pushteti Frelimos. Grupet opozitare dhe mbështetësit e tyre thonë se zgjedhjet ishin të montuara.
Përderisa komandanti i policisë tha se protestat jashtë burgut e nxitën trazirën në burg, ministrja e Drejtësisë, Helena Kida, i tha një televizioni privat se kryengritja filloi brenda burgut dhe nuk kishte të bënte asgjë me protestat jashtë tij.
“Përleshjet pas kësaj rezultuan në 33 vdekje dhe 15 të lënduar në afërsi të burgut” – tha Rafael në një konferencë për media. Identiteti i të vdekurve dhe të lënduarve nuk kishte i qartë.