Dhjetëra të vdekur nga shiu i dendur e rrufetë në Pakistan
Të paktën 39 persona raportohet të kenë vdekur në Pakistan pas disa ditëve me shi jashtëzakonisht të dendur në pjesën jugperëndimore të këtij shteti aziatik.
Sipas autoriteteve, në mesin e viktimave ishin disa bujq që u goditën nga rrufetë gjatë korrje-shirjes së grurit, raporton televizioni BBC.
Në fotografi të publikuara në internet shihet sipërfaqe e madhe e tokës së punuar që është mbuluar nga uji i reshjeve. Vërshimet i kanë penguar edhe furnizimin me rrymë dhe rrjetin e transportit.
Pakistani është ballafaquar me shtim të rasteve të motit ekstrem, përderisa po i ndien pasojat e ndryshimeve klimatike.
Në vitin 2022, një e treta e vendit u prek nga vërshime të pashembullta, duke shkaktuar mbi 1.700 viktima e duke lënduar mijëra njerëz të tjerë. Miliona njerëz kishin mbetur pa shtëpi dhe u mungonte uji i pastër i pijes disa muaj më pas.
Disa zona të prekura nga vërshimet e vitit 2022, përfshirë Khyver Pakhtunkwha dhe Baloçistanin, po e pësojnë përsëri ndikimin e stuhive të fundit.
Përderisa priten reshje të reja ditëve të ardhshme, Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Fatkeqësive ka paralajmëruar edhe për rrëshqitje dheu e vërshime.
Provinca më e populluar e Pakistanit, Punjab, ka pësuar më së shumti në njerëz deri më tani, me 21 të mbytur nga rrufetë nga e premtja deri të dielën, raporton agjencia franceze e lajmeve, AFP.
Sipas kësaj agjencie, të paktën tetë persona të tjerë vdiqën në provincën jugore të Baloçistanit, ku autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Është dhënë urdhër që shkollat atje të mbyllen të hënën dhe të martën.