Dhjetë gjëra për t'i ditur rreth jetës së mbretëreshës Elizabetë - NACIONALE

Dhjetë gjëra për t'i ditur rreth jetës së mbretëreshës Elizabetë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Monarkja me fronin më të gjatë në Britani

Elizabeta, e cila mbushi 70 vjet në fron këtë vit, është monarkja më e moshuar dhe me pushtetin më të gjatë në historinë britanike. Në shtatorin e vitit 2015, ajo ia kaloi stër-stërgjyshes, mbretëreshës Viktoria, e cila ishte në fron 63 vjet e shtatë muaj.

Më 2016, Elizabeta gjithashtu u bë monarkja me pushtetin më të gjatë në botë me vdekjen e mbretit Bhumibol Adulyadej të Tajlandës. Më 2022, ajo u bë monarkja e dytë me pushtetin më të gjatë në historinë botërore, pas mbretit Louis XIV të Francës, i cili e kishte marrë fronin në moshën 4-vjeçare.

Përpos Elizabetës dhe Viktorias, vetëm katër monarkë të tjerë në historinë britanike kanë qëndruar në fron për më shumë se 50 vjet: George III (59 vjet), Henry III (56 vjet), Edward III (50 vjet) dhe James VI i Skocisë (58 vjet).

Shkollimi në shtëpi

Si shumë anëtarë të tjerë të familjes mbretërore të periudhës së saj dhe më parë, Elizabeta kurrë nuk shkoi në shkollë publike dhe kurrë nuk është shfaqur para nxënësve të tjerë. Në vend të kësaj, ajo u shkollua në shtëpi me Margaretën, motrën e saj më të re.

Në mesin e atyre që e mësuan ishin babai i saj, një mësues i lartë në Kolegjin e Eton-it, disa mësuese që ia mësuan gjuhën frënge dhe kryepeshkopi i Canterbury0t, që ia mësoi fenë.

Pjesë e shkollimit të saj ishin edhe mësimi i kalërimit, notit, vallëzimit dhe studimi i arteve të bukura e muzikës.

“Numri 230873”

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, princesha e re u bë shkurtazi e njohur si “Numri 230873”. Pas disa muajve fushatë për ta marrë lejen e prindërve që të bënte diçka për luftën, trashëgimtarja e fronit mësoi se si t’i drejtonte dhe si t’i rregullonte autoambulancat dhe kamionët. Pas disa muajve, ajo ishte ngritur në rangun e Komandantes së Lartë të nderit.

“Imituese e mrekullueshme”

Elizabeta shpesh e jepte përshtypjen e sjelljes serioze dhe shumë njerëz e kanë vërejtur “fytyrën poker” të saj, por ata që e njihnin, kanë thënë se ajo kishte sens të djallëzuar të humorit dhe talent për imitim në rrethin privat.

Rowan Williams, ish-kryepeshkop i Canterbury-t, ka thënë se mbretëresha do të mund të ishte “tepër qesharake në ndejë private – dhe jo kushdo e vlerëson atë se sa qesharake mund të jetë ajo.”

Taksapaguesja mbretërore

Ajo mund të ketë qenë mbretëreshë, por gjithashtu ka paguar taksa – të paktën nga viti 1992.

Kur kalaja e Windsor-it, rezidencë e mbretëreshës për fundjavë, ishte djegur më 1992, publiku ishte rebeluar kundër pagimit të miliona funteve për riparimin e objektit.

Sidoqoftë, mbretëresha ishte pajtuar në mënyrë vullnetare që të paguante taksa për të ardhurat personale. Ajo kishte thënë se do ta mbulonte 70 për qind të kostos së riparimit dhe gjithashtu kishte vendosur që ta hapte shtëpinë e saj në pallatin e Buckingham-it për publikun për herë të parë për të siguruar fonde shtesë.

Lilibet-ja e vogël

Mbretëresha ishte pagëzuar me emrin Elizabeth Alexandra Mart Windsor e York-ut, për nder të nënës së saj, gjyshes dhe stërgjyshes. Megjithatë, ajo njihej me dashuri nga familja si Lilibet-ja e re. Thuhet se ky emër i kishte mbetur për shkak se nuk mund ta shqiptonte si duhet emrin “Elizabeth”.

Kjo nofkë u bë e njohur më gjerësisht, pasi princi Harry dhe dukesha Megan ia lanë emrin Lilibet Diana vajzës së tyre më 2021.

Romanca e palëkundur

Elizabeta dhe bashkëshorti i saj, princi Filip, patën marrëdhënie të qëndrueshme për më shumë se 70 vjet, bashkim që i la shumë prapa martesat e tre nga katër fëmijëve të tyre: Charles, Anne dhe Andrew.

Disa ditëlindje

Elizabeta është lindur më 21 prill 1926, por nganjëherë ishte hutuese për publikun që të dinte se kur duhet të festohet.

Nuk kishte ditë të caktuar në mënyrë të përgjithshme si “ditëlindje zyrtare” – ishte e shtuna e parë, e dytë ose e tretë në qershorit dhe vendimi merrej nga qeveria.

Në Australi, ditëlindja e saj festohej në të hënën e dytë të qershorit, ndërsa në Kanada në të hënën e 24 majit ose para kësaj date.

Shumë qen të racës Corgi

Dihet që Elizabeta i donte qentë e racës Corgi – raportohet se princesha Diana i quante qentë “qilim lëvizës” i mbretëreshës, sepse ata e shoqëronin kudo.

Ajo ka pasur më shumë se 30 qen të kësaj race gjatë jetës së vet. Ajo gjithashtu kishte dy qen “dorgi”, racë e përzier.

Elizabeta ishte fotografuar duke e përqafuar njërin nga qentë që në vitin 1936, kur kishte vetëm dhjetë vjet.

“Një vajzë goxha e bukur”

Në mënyrë të pashmangshme, mbretëresha u bë subjekt i këngëve të muzikës pop.

Grupi “The Beatles” e kanë quajtur atë “vajzë goxha e bukur”, ndonëse “ajo nuk ka shumë për të thënë”. Kjo këngë është incizuar në vitin 1969.

Sidoqoftë, disa këngë të tjera nuk ishin shumë të këndshme për mbretëreshën. Kënga “God Save the Queen” e grupit “Sex Pistols” ishte ndaluar në televizionin britanik në vitet e shtatëdhjeta.

Përktheu nga teksti i "Associated Press": Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme