Çfarë do të ndodhë në Britani pas vdekjes së mbretëreshës? - NACIONALE

Çfarë do të ndodhë në Britani pas vdekjes së mbretëreshës?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Njerëz nga mbarë bota kanë reaguar për vdekjen e mbretëreshës Elizabetë të Britanisë së Madhe. Përderisa një orar i caktuar me kujdes i ngjarjeve zyrtare do të publikohet ndarazi, vdekja e mbretëreshës do të ketë ndikim të madh në jetën e përditshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Shumica e hollësive ende nuk janë konfirmuar, por më poshtë po i paraqesim ato që mund të priten.

Ndeshjet sportive, të planifikuara për të premten, janë anuluar në pjesë të madhe, përfshirë ndeshjet në ligën angleze të futbollit dhe në ligën e futbollit në Irlandën Veriore.

Të gjitha garat me kuaj janë anuluar, ndërsa lojë nuk do të ketë as në sportin e golfit, shkruan BBC, përcjell Nacionale.

Faza e gjashtë e garës së çiklizmit “Tour of Britain”, e planifikuar për të premten, nuk do të zhvillohet. Dita e dytë e lojës së kriketit mes Anglisë e Afrikës Jugore, e planifikuar për të premten, është shtyrë.

Shfaqjet në teatro pritet të vazhdojnë, por në fillim të tyre do të mbahet një minutë heshtje. Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Mercury Music Prize” u anulua të enjten në mbrëmje.

Sindikata e Hekurudhave Marinës dhe Transportit ka njoftuar se grevat e planifikuara për datat 15 e 17 shtator, do të anulohen në shenjë respekti.

Grevat janë anuluar edhe nga Sindikata e Punëtorëve të Komunikimit në sektorin postar.

Funerali i mbretëreshës pritet të mbahet pas 10 ditëve. Data pritet të konfirmohet nga Pallati Buckingham. Nuk dihet nëse shkollat do të mbyllen./Nacionale

Lajme të ngjashme