Dështon misioni historik për lëshimin e satelitëve nga Britania - NACIONALE

Dështon misioni historik për lëshimin e satelitëve nga Britania

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Misioni i parë satelitor i nisur nga territori i Britanisë së Madhe, ka përfunduar me dështim.

Një aeroplan i përdorur nga kompania amerikane, “Virgin Orbit”, barti një raketë nga Cornwall-i i Britanisë, për ta lëshuar atë mbi Oqeanin Atlantik, shkruan BBC-ja.

Raketa u ndez dhe dukej që po ngjitej në mënyrën e duhur, por më pas erdhi lajmi nga kompania se raketa ka pësuar një anomali.

Satelitët që ishte duke i mbajtur kjo raketë nuk mund të lëshoheshin dhe u humbën. Sidoqoftë, aeroplani i tipit 747 u kthye në mënyrë të sigurt në bazë.

Zëvendësshefi ekzekutiv i Agjencisë Hapësinore të Mbretërisë së Bashkuar, Ian Annett, tha se kjo tregon se sa e vështirë është hyrja në orbitë, por parashikoi lëshime të tjera brenda 12 muajve të ardhshëm.

Matt Archer, drejtor i programit të lëshimit në këtë agjenci, tha se problemi u shfaq në segmentin e sipërm të raketës.

“Motori i fazës së dytë pati një anomali teknike dhe nuk e arriti orbitën e kërkuar. Kjo tash është pjesë e një hetimi nga “Virgin Orbit”-i dhe një numër i departamenteve qeveritare”- tha ai për televizionin BBC.

Ky zyrtar nuk mundi të konfirmonte nëse raketa ka rënë në Tokë, por shtoi se nëse ajo ka rënë, do të ketë përfunduar në zona pa popullsi.

Satelitët ishin të mbuluar nga sigurimi, prandaj prodhuesit dhe operatorët e tyre do të dëmshpërblehen.

Sistemi i kompanisë “Virgin Orbit” është relativisht i ri. Ai ka qenë në operim nga viti 2020 dhe ka pësuar dështim në lëshimin e parë, por është pasuar nga katër fluturime të suksesshme.

Raketa janë dërguar në hapësirë nga territori britanik më parë, por nuk janë vendosur satelitë në orbitë. Përpjekjet e mëhershme kanë qenë pjesë e ushtrimeve ushtarake për hulumtime në atmosferë.

E njohur në skenën ndërkombëtare për prodhimin e satelitëve të të gjitha madhësive, industria hapësinore britanike gjithmonë është detyruar që t’i dërgojë produktet e veta në porte të huaja hapësinore për t’i çuar ato në orbitë.

Lajme të ngjashme