Deputetët gjermanë pajtohen për reformën e mirëqenies, rriten beneficionet
Ligjvënësit gjermanë janë pajtuar për miratimin e një reforme të sistemit të asistencës sociale, me të cilën do të rriten beneficionet për personat e papunë dhe do t’u ofrohet më shumë ndihmë për trajnime. Synimi i kësaj reforme është adresimi i mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar në ekonominë më të madhe të Evropës.
Reforma është më pak ambicioze se që ishte planifikuar fillimisht nga qeveria me prirje nga politikat majtiste. Opozita konservatore e bllokoi këtë nismë javën e kaluar në dhomën e lartë të kuvendit - Bundesrat, raporton agjencia “Reuters”.
Sidoqoftë, pushteti dhe konservatorët në opozitë u morën vesh për versionin e ndryshuar të reformës, të cilin të mërkurën e miratoi një komision parlamentar për ndërmjetësim. Pritet që reforma të miratohet përfundimisht nga parlamenti të premten, por kjo procecurë është, në thelb, formalitet.
Ndryshimi kryesor nga plani fillestar është heqja e të ashtuquajturës “periudhë e besimit” prej gjashtë muajve, gjatë së cilës punëkërkuesit do të kishin marrë beneficione të plota, edhe nëse nuk do të paraqiteshin në terminët e ofertave për punësim.
Ky ndryshim nënkupton se reforma e amendamentuar, me të cilën do të fillojë plani “Buergergeld”, humb një tipar dallues nga sistemi “Hartz IV” që do ta zëvendësojë, me të cilin gjithashtu sanksionohen njerëzit që i refuzojnë ofertat për punësim, përcjell Gazeta Nacionale.
Sipas planit “Hartz IV”, të zbatuar nga viti 2005, kur rritja ekonomike ishte e ulët dhe shkalla e papunësisë e lartë, përfituesve të beneficioneve të papunësisë mund t’u ndaleshin të ardhurat, nëse ata do të refuzonin një ofertë për punë. Ekspertët thonë se beneficionet që i ofronte ky plan, nuk e mbulonin koston elementare të jetesës.
Megjithatë, plani i ri, i ndryshuar, do t’u ofrojë më shumë të holla përfituesve të asistencës sociale dhe do të japë më shumë mundësi për ata që janë duke kryer trajnime profesionale.
Në anën tjetër, në Francën fqinje është duke u planifikuar vënia nën kontroll e beneficioneve të papunësisë, kur përqindja e njerëzve të papunë është nën 9 për qind.
Mungesa e punëtorëve të kualifikuar në Gjermani është duke e penguar zhvillimin e bizneseve. Popullsia që po vjetrohet, paraqet “bombë të kurdisur” demografike për sistemin pensional, rrezik që ministrat synojnë ta zbusin përmes pranimit të emigrantëve dhe zhvillimit të trajnimeve.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

