Deputetët e Koresë së Jugut e rrëzojnë edhe presidentin në detyrë
Deputetët e Koresë së Jugut kanë votuar për ta shkarkuar presidentin në detyrë, Han Duck-soo, dy javë pasi Kuvendi votoi për ta shkarkuar presidentin Yoon Suk Yeol.
Gjithsej 192 deputetë e mbështetën rrëzimin e presidentit në detyrë, ndërsa për këtë veprim nevojiteshin të paktën 151 vota, raporton televizioni BBC.
Kryeministri Han e mori detyrën e presidentit, pasi Yoon u rrëzua nga deputetët për shkak të përpjekjes së tij të dështuar për ta futur në fuqi ligjin ushtarak më 3 dhjetor.
Han supozohej ta nxirrte vendin nga trazirat politike, por deputetët e opozitës argumentuan se ai po i refuzonte kërkesat për ta kompletuar procesin e shkarkimit të Yoon-it.
Hanit do t’i pezullohen kompetencat në momentin që ai njoftohet nga Kuvendi.
Njësoj si për Yoonin, edhe shkarkimi i Hanit duhet të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka 180 ditë afat për të vendosur nëse shkarkimi do të mbetet në fuqi.
“Unë e respektoj vendimin e Asamblesë Kombëtare” – tha Hani të premten, duke shtuar se “do ta presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.