Dënohen pesë burra për vjedhjen e famshme të stolive milionëshe në Gjermani - NACIONALE

Dënohen pesë burra për vjedhjen e famshme të stolive milionëshe në Gjermani

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pesë burra janë shpallur fajtorë për vjedhjen e stolive të shtrenjta në qytetin Dresden të Gjermanisë në vitin 2019.

Hajnat kishin vjedhur gjësende me vlerë të 113 milionë eurove në muzeun shtetëror të qytetit më 2019, raporton televizioni BBC.

Policia ka gjetur shumë gjësende të vjedhura, përfshirë një shpatë të veshur me diamante, por ka frikë se pjesa tjetër e tyre mund të mos gjenden kurrë.

Burrat e shpallur fajtorë ishin anëtarë të një rrjeti famëkeq kriminal dhe ballafaqohen me katër deri në gjashtë vite burgim.

Vjedhja ishte e planifikuar në hollësi. Grupi, i cili jetonte në Berlin, e kishte vizituar muzeun disa herë dhe e kishte përgatitur pikën hyrëse paraprakisht, duke përdorur një makinë hidraulike për prerje për të depërtuar nëpër grilat e dritares para se t’i vendosnin ato përsëri në vend.

Pastaj, në orët e hershme të mëngjesit të 25 nëntorit të vitit 2019, ata i kishin vënë zjarrin një paneli për kontrollimin e rrymës afër muzeut, duke i lënë rrugët përreth muzeut në errësirë, përderisa dy burra ishin futur brenda objektit.

“Ka njerëz që vjedhin vepra arti nga pasioni për art, por kjo vërtet ishte e kundërta. Ata nuk kishin ide se çfarë kishin marrë”- tha Marion Ackermann, drejtoreshë e përgjithshme e Koleksioneve Shtetërore të Artit në Dresden.

Fillimisht kishte frikë se stolitë ishin të humbura përgjithmonë, por shumë prej tyre u kthyen në muze, pasi tre burra rrëfyen për veprimin e tyre dhe u pajtuan që ta zbulonin vendndodhjen e gjësendeve në këmbim të lehtësimit të dënimit si pjesë e marrëveshjes me prokurorët.

Megjithatë, disa pjesë ende mungojnë, përfshirë një diamant shumë të rrallë, të quajtur “Guri i Bardhë i Saksonisë”.

Lajme të ngjashme