Dënohen me burgim të gjatë nënë e bijë në ShBA që shisnin pjesë të kufomave
Një ish-pronare e një kompanie funeralesh në Kolorado të Shteteve të Bashkuara u dënua të martën me 20 vite burgim për mashtrimin e të afërmve të disa të vdekurve, duke hapur 560 kufoma e duke shitur pjesë të trupave pa leje.
Megan Hess, 46 vjeçe, u deklarua fajtore për mashtrim në korrikun e vitit të kaluar. Ajo udhëhiqte një kompani funeralesh të quajtur “Sunset Mesa”, dhe një organizatë për pjesë të trupave, “Donor Services”, në të njëjtën ndërtesë në Montrose të Kolorados. Dënimi që iu shqiptua asaj, është më I larti që lejohet me ligj për këtë vepër, shkruan “The Guardian”, përcjell “Nacionale”.
Nëna e saj 69-vjeçare, Shirley Koch, gjithashtu u deklarua fajtore për mashtrim dhe u dënua me 15 vite burgim. Roli qendror i gruas së moshuar ishte copëtimi i trupave, sipas dokumenteve të gjykatës.
“Hess-i dhe Koch-i e shfrytëzonin nganjëherë kompaninë e tyre të funeraleve për të vjedhur, në thelb, trupa dhe pjesë të trupave, duke përdorur forma mashtruese dhe të rreme të dhurimit të organeve. Sjellja e Hess-it dhe e Koch-it u kanë shkaktuar dhimbje të pafund emocionale anëtarëve të familjeve dhe të afërmve”- tha prokurori Tim Neff në një dokument gjykate.
Hetimi i rastit ishte nxitur nga një varg hulumtimesh të agjencisë “Reuters” për shitjen e pjesëve të trupave në Shtetet e Bashkuara, industri që pothuajse nuk është e rregulluar me ligj. Disa ish-punëtorë i kishin treguar kësaj agjencie se Hess-i dhe Koch-i kishin bërë copëtim të paautorizuar të trupave dhe disa javë pas publikimit të një storieje më 2018, FBI-ja e kishte bastisur kompaninë.
Në dokumentet e tyre, prokurorët e theksuan “natyrën makabre” të skemës së Hess-it dhe e përshkruan këtë skemë si njërën prej rasteve më të rëndësishme të pjesëve të trupave në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara.
Koch-i i tha gjykatëses se i vjen keq dhe se e merr përgjegjësinë për veprimet e saj. Njëzet e gjashtë persona e kanë përshkruar tmerrin që e kanë përjetuar, pasi kishin marrë vesh se çfarë u kishte ndodhur kufomave të të afërmve të tyre.
“Nëna jonë e dashur, ato e copëtuan atë”- tha Erin Smith-i, duke ia shituar shpatullat, gjunjët dhe këmbët për përfitim. “Nuk kemi as emër për një krim kaq neveritës”- shtoi ajo.
