Dënohen me burgim të gjatë edhe dy sulmues të tjerë të Capitolit më 2021 - NACIONALE

Dënohen me burgim të gjatë edhe dy sulmues të tjerë të Capitolit më 2021

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy anëtarë të grupit të së djathtës ekstreme në ShBA, “Proud Boys” (“Djemtë Krenarë”), të cilët kishin marrë pjesë në sulmin ndaj ndërtesës së Capitolit në ShBA më 6 janar 2021 me qëllim të zhbërjes së humbjes së ish-presidentit Donald Trump në zgjedhje, u dënuan të premten me burgim të gjatë.

Ethan Nordean, i përshkruar nga prokurorët si udhëheqës i grupit ekstremist, u dënua me 18 vite burgim për disa krime, përfshirë konspiracionin për kryengritje, të kryera gjatë tubimit të mijëra përkrahësve të Trumpit para Capitolit, raporton gazeta “The Guardian”.

Dominic Pezzola, i cili kishte sulmuar një polic dhe ishte incizuar duke e përdorur mburojën e policit për të thyer një dritare, u dënua me 10 vite burgim nga gjykatësi Timothy Kelli në Uashington, pas dënimit të tij në maj për sulm dhe pengim të një procedure zyrtare.

Prokurorët kishin kërkuar dënime më të rënda për dy të akuzuarit – 27 vite burgim për Nordean-in dhe 20 vite burgim për Pezzola-n.

Këta dy persona ishin pjesë e një grupi që ishte munduar që ta pengonte certifikimin e fitores së kandidatit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Nëntë raste të vdekjes janë ndërlidhur me këtë kryengritje, përfshirë vetëvrasjen e pjesëtarëve të forcave të rendit.

Raportohet se Nordean-i tha në gjykatë: “Do të doja që të kërkoj falje për mungesën time të lidershipit atë ditë.”

Duke e dënuar Pezzolla-n, gjykatësi Kelly tha: “Ti ishte ai që e theve dritaren dhe i le njerëzit që të futeshin në ndërtesën e Capitolit e ta rrezikonin jetën e ligjvënësve tanë. Nuk është diçka që unë ndonjëherë kam ëndërruar se do ta shihja në vendin tonë.”

Të enjten, i njëjti gjykatës e dënoi ish-organizatorin e grupit, Joseph Biggs, ish-kapiten i ushtrisë amerikane, me 17 vite burgim, ndërsa 15 vite burgim iu shqiptuan një anëtari tjetër, Zachary Rehl.

Lajme të ngjashme