Demokratët s’kanë plan B, nëse Bideni tërhiqet papritmas nga gara për president - NACIONALE

Demokratët s’kanë plan B, nëse Bideni tërhiqet papritmas nga gara për president

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e ShBA-së nuk ka plan B, nëse presidenti Joe Biden do të vendoste për ndonjë arsye që të tërhiqej nga gara për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Nevoja e papritur për ta zëvenedësuar atë do të nxiste një betejë të rrëmujshme brenda partisë.

Pavarësisht nga shifrat e dobëta në anketa e pyetjeve, përfshirë nga disa demokratë, për moshën e tij, Bideni i është përmbajtur planit të tij për ta kërkuar mandatin e dytë, pasi e kishte pastruar terrenin nga sfiduesit seriozë demokratë, kur njoftoi në prill se do të garonte përsëri, raportoi agjencia “Reuters”.

Edhe nëse ndonjë kandidat demokrat do të hynte në garë tash, rruga do të ishte e paqartë, pasi tashmë kanë kaluar afatet për të qenë pjesë e zgjedhjeve fillestare në shtete kritike si Nevada, Karolina e Jugut e Georgia.

Besnikët e Bidenit, duke e përmendur trashëgiminë e tij në pushtet, argumentojnë se partia nuk ka nevojë për plan të dytë për ta mposhtur kandidatin e mundshëm republikan, Donald Trump, të cilin Bideni e mposhti në zgjedhjet e vitit 2020.

Në mesin e skenarëve të mundshëm në rast se presidenti tërhiqet nga gara: demokratët mund të zgjedhin një të nominuar tjetër në gusht të vitit të ardhshëm, në konventën e partisë, ose edhe më vonë, në vijë me rregullat partiake.

Agjencia “Reuters” ka biseduar me disa zyrtarë e ish-zyrtarë, të cilët, edhe pse bënë të qartë se duan që Bideni të shënojë sukses, pranuan se partia do të mund të ballafaqohej me tollovi, nëse presidenti më i moshuar në historinë e ShBA-së pëson ndonjë problem shëndetësor ose nëse vendos që të tërhiqet për arsye të tjera nga gara për Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk ka plan B. Nëse ai... nuk do të garonte papritmas, secili që ju e njihni do të garonte. Nënpresidentja [Kamala Harris] nuk e frikëson askënd”- tha një anëtar i lartë i Partisë Demokratike.

“Joe Biden do të jetë i nominuari demokrat dhe do ta mposhtë cilindo ekstremist të MAGA-s që republikanët e paraqesin”- tha zëdhënësi i fushatës së Bidenit, Daniel Wessel. MAGA i referohet sloganit të Trumpit – “Make America Great Again” (“Bëje Amerikën të Madhe Prapë”).

Lajme të ngjashme