Demokratët e Bidenit e forcojnë kontrollin në Senat, fitojnë edhe në Georgia - NACIONALE

Demokratët e Bidenit e forcojnë kontrollin në Senat, fitojnë edhe në Georgia

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e presidentit amerikan, Joe Biden, e ka forcuar kontrollin në Senat duke fituar në një garë të ashpër në Georgia, sipas parashikimeve.

Demokrati Raphael Warnock e ka mposhtur rivalin republican, Herschel Walker, në një garë që kishte mbetur e pazgjidhur për shkak të rezultatit të ngushtë në rundin e parë, që u mbajt muajin e kaluar.

Pas këtij rezultati, demokratët kanë shumicë në Senat me 51 ulëse, dy më shumë se republikanët, raporton televizioni BBC.

Ky rezultat i vë kapakun një rundi zhgënjyes të rezultateve në zgjedhjet e mesit të mandatit për Partinë Republikane të ish-presidentit Donald Trump.

Kjo parti arriti rezultate më të dobëta sesa që pritej muajin e kaluar duke fituar vetëm një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kandidati republikan në Georgia, figurë e re në politikë, i bashkohet një vargu të kandidatëve të mposhtur e të cilët ishin përkrahur nga Trumpi, i cili tash po synon që ta sigurojë nominimin e partisë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Gara në Georgia u desh të zgjidhej me balotazh, sepse asnjëri nga kandidatët nuk kishte arritur të merrte mbi 50 për qind të votive në nëntor, edhe pse kandidati demokrat kishte epërsi prej rreth 37 mijë votash.

Fitorja e parashikuar për Warnock-un ka epërsi të ngushtë. Pas numërimit të 99 për qind të votave, ai ka 50,8 për qind, ndërsa kandidati tjetër ka 49,2 për qind, përcjell Nacionale.

Fushata e kandidatit republikan ishte nën hijen e akuzave – të cilat ai i ka mohuar – se u kishte dhënë të holla dy ish të dashurave të tij për të kryer abort pavarësisht thirrjes së tij që kjo procedurë të ndalohet me ligj.

Ai gjithashtu ka pranuar gjatë fushatës se ishte bërë baba i tre fëmijëve, pasi për një kohë të gjatë i kishte kritikuar baballarët që i braktisin fëmijët e tyre.

Kandidati demokrat ka shpenzuar shumë më shumë në fushatë – rreth 170 milionë dollarë – në krahasim me kandidatin republikan, i cili ka shpenzuar gati 60 milionë dollarë.

Lajme të ngjashme