Danimarka e thërret në takim ambasadorin e ShBA-së shkaku i Grenlandës
Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, ka thënë se do ta thërrasë në takim ambasadorin amerikan për të adresuar një raport në të cilin thuhet se agjencitë e spiunimit të ShBA-së janë porositur që të përqendrohen te Grenlanda në kohën e kërcënimeve të presidentit Donald Trump për ta marrë nën kontroll ishullin gjigant.
“Kjo më shqetëson mua shumë, sepse ne nuk i spiunojmë miqtë tanë” – tha kryediplomati danez, duke reaguar për raportin e gazetës së njohur amerikane, “The Wall Street Journal”, raporton televizioni BBC.
Sipas gazetës, agjencive amerikane të inteligjencës u është thënë që t’i përqendrojnë përpjekjet te lëvizja për pavarësi e ishullit që ka gjysmautonomi dhe te qëllimet amerikane për të nxjerrë burime minerare atje.
Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare në ShBA, Tulsi Gabbard, e akuzoi gazetën “The Wall Street Journal” se po përpiqet ta “minojë” presidentin Trump “përmes politizimit dhe zbulimit të të dhënave të klasifikuara”.
Edhe pse nuk e mohoi raportin, ajo e akuzoi gazetën për “shkeljen e ligjit dhe minimin e sigurisë dhe demokracisë së vendit tonë”.
Ministri i Jashtëm i Danimarkës, i cili po merrte pjesë në një takim të ministrave të BE-së në Varshavë, tha se raporti i gazetës amerikane është “disi shqetësues”.
“Ne do ta thërrasim ambasadorin amerikan në detyrë për një diskutim në Ministrinë e Jashtme për të parë nëse mund ta konfirmojmë këtë informatë. Nuk po duket se po kundërshtohet fuqishëm nga ata që po flasin. Kjo më brengos” – tha më tej kryediplomati danez.
Shërbimi i Sigurisë dhe Inteligjencës i Danimarkës (PET) refuzoi që ta komentonte artikullin e gazetës amerikane, por mediat daneze thanë se ky shërbim “natyrisht” se e ka vërejtur interesimin e Shteteve të Bashkuara për Grenlandën.
Agjencia e inteligjencës tha se, duke u mbështetur tek interesimi ndërkombëtar për Grenlandën në përgjithësi, ekziston një rrezik i shtuar për spiunim kundër saj dhe kundër vetë Danimarkës.
Presidenti amerikan në mënyrë të përsëritur është zotuar se do ta marrë nën kontroll ishullin e madh. Të dielën, ai tha se nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për ta marrë nën kontroll Grenlandën./Nacionale