Danimarka e Suedia zotohen për kapjen e udhëheqësve të bandave që po angazhojnë të mitur për vrasje - NACIONALE

Danimarka e Suedia zotohen për kapjen e udhëheqësve të bandave që po angazhojnë të mitur për vrasje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministrat e Drejtësisë të Danimarkës dhe Suedisë u zotuan të mërkurën për gjetjen e udhëheqësve të krimit të organizuar jashtë vendit, për të cilët thonë se kanë qenë duke angazhuar adoleshentë në Suedi për të kryer sulme vdekjeprurëse me armë në Danimarkë.

Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Peter Hummelgaard, ka thënë se bandit kanë angazhuar të rinj suedezë për të kryer krime në Danimarkë të paktën 25 herë nga prilli, pjesërisht për shkak të ligjet suedeze parashohin dënime më të lehta për të miturit që kryejnë krime serioze, raporton agjencia “Associated Press”.

“Disa prej personave që e orkestrojnë këtë krim kokëkrisur e të dhunshëm janë duke u fshehur nën qiej më të ngrohtë dhe natyrisht se kjo është tërësisht e papranueshme” – tha ministri danez në një konferencë për gazetarë të mërkurën pas një takimi me homologun suedez, Gunnar Strommer, në Kopenhagë. Ai tha se këta persona ishin “shpesh në Lindje të Mesme”, por nuk përmendi ndonjë shtet.

Njëra nga dy bandat kryesore të Suedisë udhëhiqet nga një shtetas suedezo-turk që jeton në Turqi, shtet që refuzon t’i ekstradojë qytetarët e vet.

Mediat suedeze dhe daneze thonë se kjo bandë është e përfshirë në një armiëqësi vdekjeprurëse me njërën prej bandave kryesore kriminale në Danimarkë, “Loyal to Familia”, që ishte ndaluar me ligj më 2021.

Suedia është ballafaquar me dhunë nga bandat me vite, ndërsa në Danimarkë, policia gjithashtu ka regjistruar dhunë mes bandave, por në nivel më të ulët.

Vitin e kaluar, policia suedeze vërejti rritje të numrit të adoleshentëve nën moshën 18-vjeçare që ishin rekrutuar për të kryer vrasje me porosi, sepse ata nuk u nënshtrohen kontrolleve të njëjta policore si të rriturit dhe shpesh mbrohen nga ndjekja penale.

Ministri suedez tha se vendi i tij do t’i ashpërsojë ligjet e veta, duke theksuar se të miturit që dënohen për vrasje në Suedi vendosen në objekte për të mitur, ndërsa mund të dënohen me burgim deri në 16 vjet në Danimarkë./Nacionale

Lajme të ngjashme