Danimarka e mirëpret ndryshimin e vizitës së delegacionit amerikan në Grenlandë
Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, të mërkurën e mirëpriti vendimin e Shteteve të Bashkuara për të ndryshuar një vizitë të planifikuar në Grenlandë, e cila kishte nxitur një përplasje diplomatike mes Kopenhagës dhe Shtëpisë së Bardhë, në kohën e interesimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për ta marrë nën kontroll ishullin.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, kishte thënë të martën se një vizitë e planifikuar nga Usha Vance, bashkëshorte e nënpresidentit të ShBA-së, JD Vance, në një garë të popullarizuar me qen me saja në Grenlandë ishte pjesë e “presionit të papranueshëm” ndaj territorit gjysmautonom danez, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shtëpia e Bardhë të martën njoftoi se delegacioni tani do të drejtohej nga vetë nënpresidenti JD Vance dhe se ai do ta vizitonte vetëm Bazën Hapësinore të ShBA-së në Pituffik, në pjesën veriore të Grenlandës, por jo edhe garën me qen.
“Mendoj se është shumë pozitive që amerikanët e anuluan vizitën e tyre në shoqërinë grenlandeze. Në vend të saj, ata do ta vizitojnë bazën e tyre, Pituffik, dhe ne nuk kemi asgjë kundër kësaj” – i tha televizionit DR kryediplomati danez.
Artikuj të ngjashëm:
E papranueshme vizita e delegacionit amerikan në Grenlandë, thotë kryeministrja e Danimarkës
Trumpi e përmend përsëri Grenlandën: Po na thërrasin ata, s’po i thërrasim ne