Danimarka do të vendosë barazi gjinore edhe në ushtri, gratë në rekrutim
Danimarka ka njoftuar plane për zgjerimin e rekrutimit ushtarak edhe te gratë për herë të parë dhe për zgjatjen e kohës standarde të shërbimit ushtarak.
Shteti i Evropës Veriore gjithashtu synon që ta rrisë buxhetin e mbrojtjes për gati gjashtë miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme për t’i arritur caqet e NATO-s, raporton televizioni BBC.
“Ne nuk riarmatosemi, sepse duam luftë. Ne do të riarmatosuemi, sepse duam që ta shmangim atë” – tha kryeministrja Mette Frederiksen.
Duke i njoftuar reformat të mërkurën, zonja Frederiksen tha se Qeveria po synon që ta arrijë “barazinë e plotë mes gjinive”.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, tha: “Rekrutimi më i fuqishëm, përfshirë barazinë e plotë gjinore, duhet të kontribuojë për zgjidhjen e sfidave të sigurisë, mobizilimit kombëtar dhe plotësimit të personelit të forcave tona të armatosura.”
Gratë në shtetin e pasur evropian tashmë mund të shërbejnë në ushtri në mënyrë vullnetare.
Tani, Qeveria planifikon që ta fillojë rekrutimin e grave nga viti 2026, duke u bërë vetëm shteti i tretë evropian – bashkë me Norvegjinë dhe Suedinë – që u kërkon grave shërbim në forca të armatosura.
Autoritetet thonë se shërbimi në rekrutim do të zgjatet nga katër në 11 muaj, edhe për burrat, edhe për gratë.
Vitin e kaluar, 4.700 persona e kryen shërbimin ushtarak, prej të cilëve rreth 25 për qind ishin gra. Kjo shifër do të rritet në 5.000 në vit.
Forcat e armatosura të Danimarkës tash për tash numërojnë rreth 20 mijë pjesëtarë të personelit aktiv, përfshirë rreth 9 mijë trupa profesionale.
Ky shtet, që ka popullsi prej gati gjashtë milionë banorësh, gjithashtu do t’i rrisë shpenzimet ushtarake, nga 1,4 për qind të prodhimit vendës bruto, sa janë tani, në 2 për qind, për t’i plotësuar standardet e caktuara nga NATO-ja.
Danimarka ka qenë njëra nga përkrahëset më të patundura të Ukrainës, duke i ofruar këtij shteti armë e fonde si dhe duke trajnuar pilotë ukrainas për përdorimin e aeroplanëve luftarakë amerikanë të tipit F-16./Nacionale