Danimarka akuzon dy suedezë për shpërthimet afër ambasadës izraelite
Dy adoleshentë suedezë u akuzuan të enjten në një gjykatë daneze për posedim të pesë granatave të dorës dhe aktivizim të dy prej tyre mbi një kulm afër ambasadës izraelite në Kopenhagë, tha prokurori i rastit në gjykatë.
Askush nuk u lëndua nga dy shpërthimet që ndodhën të mërkurën herët, por ndërtesa afër ambasadës pësoi ca dëme, thanë hetuesit, raporton agjencia “Reuters”.
Dy adoleshentët, njëri 16 e tjetri 19 vjeç, u ndaluan të mërkurën në një tren në stacionin kryesor hekurudhor në Kopenhagë dhe u morën në pyetje të enjten në gjykatën e qytetit. Gjykata e ndaloi publikimin e emrave të tyre.
Një person tjetër, 19 vjeç, u ndalua në një pjesë tjetër të kryeqytetit danez dhe u lirua pasi ishte marrë në pyetje, tha policia daneze.
Policia shtoi se ishte duke hetuar nëse ambasada ishte në shënjestër të shpërthimeve.
Shpërthimet në kryeqytetin danez ndodhën pas shtimit të tensioneve në Lindje të Mesme.
Këtë vit, të paktën dhjetë suedezë janë akuzuar në Danimarkë për vrasje në tentativë ose posedim armësh, duke nxitur kritika për përhapjen e krimit të organizuar.
Autoritetet suedeze më parë kanë thënë se policia kishte parandaluar disa sulme të planifikuara, të ndërlidhura me shërbimet iraniane të sigurisë që po i shfrytëzonin rrjetet kriminale lokale. Irani ka thënë se kjo akuzë është e pabazë./Nacionale