Dalin pamjet: Klienti ia kërkoi patatet e fërguara, kameriarja amerikane e gjuan me pistoletë
Një punëtore e restoranteve “Jack-in-the-Box” në Teksas kishte hapur zjarr ndaj një klienti në shërbimin “drive-thru” ose për marrjen e ushqimit pa zbritur nga vetura në mars të vitit 2021, dhe vetëm tani është publikuar videoja e incidentit.
“Fox 26 Houston” raportoi se incidenti kishte ndodhur më 3 mars të vitit 2021 afër Aeroportit Ndërkombëtar “George Bush” në Houston, përcjell “Fox News”.
Atë natë, banori i Floridës, Anthony Ramos, i kishte marrë gruan shtatzënë dhe bijën e tyre 6-vjeçare nga aeroporti. Familja kishte porositur ushqim në “drive-thru” dhe kishte kontaktuar në dritare me punëtoren e restorantit, Alloniea Ford.
Kur Ramosi e kishte marrë ushqimin, ai kishte kërkuar që t’i jepeshin edhe patatet e fërguara në formë kaçurrele, por këtë kërkesë ia kishte refuzuar zonja Ford. Dy personat kishin nisur një zënkë, e cila është incizuar për një periudhë gati 23-minutëshe.
Kamerierja ishte larguar për disa sekonda nga dritarja, por ishte kthyer, duke u grindur edhe më shumë me klientin.
Pas rreth nëntë minutave, tensionet kishin eskaluar edhe më tej, kur kamerierja ishte larguar nga dritarja, e kishte nxjerrë pistoletën nga xhepi dhe e kishte vendosur atë përsëri aty.
Një punëtore tjetër shihet duke u përpjekur që ta qetësonte situatën, por zonja Ford kthehet në dritare dhe e vazhdon zënkën.
Në një moment, ajo nis që të hedhë pako të vogla të keçapit në drejtim të klientit, ndërsa ai kundërpërgjigjet, duke i hedhur pakot e njëjta në drejtim të kamerieres.
Punëtorja tjetër e mbyll dritaren, por kamerierja Ford e nxjerr pistoletën, e hap dritaren dhe fillon ta shkrepë armën në drejtim të veturës.
Klienti e nis veturën shpejt, porsa e sheh kamerieren me armë në dorë. Asnjëri nga personat në veturë nuk ishte goditur nga plumbat.