Dalin fotografitë e katër ushtarëve izraelitë që u vranë, tetë të plagosur seriozisht - NACIONALE

Dalin fotografitë e katër ushtarëve izraelitë që u vranë, tetë të plagosur seriozisht

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mediat izraelite i kanë publikuar fotografitë dhe emrat e katër ushtarëve të vrarë izraelitë nga një sulm me dronë nga Hezbollahu në një bazë ushtarake në Izrael, ndërsa raportojnë se tetë nga dhjetëra ushtarët e plagosur kanë pësuar lëndime serioze.

Ushtria izraelite i identifikoi ushtarët e vrarë si: Rreshter Omri Tamari, 19 vjeç, nga Mazkeret Batya; Rreshter Yosef Hieb, 19 vjeç, nga Tuba Zangariya; Rreshter Yoav Agmon, 19 vjeç, nga Binyamina-Giv’at Ada; dhe Rreshter Alon Amitay, 19 vjeç, nga Ramot Naftali, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Për më tepër, ushtria njoftoi se një ushtar rezervist u lëndua seriozisht gjatë luftimeve të dielën në jug të Libanit. Një ushtar tjetër u plagos seriozisht gjatë luftimeve në jug të Gazës, thanë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit. Ata u evakuuan për trajtim dhe familjet e tyre u njoftuan.

Zyrtarët mjekësorë thonë se 41 ushtarë të plagosur nga sulmi i Hezbollahut me dronë ndaj bazës ushtarake mbeten të hospitalizuar, ndërsa tetë prej tyre janë në gjendje serioze ose kritike.

Spitali “Hillel Yaffe” në Hadera thotë se 30 pacientë janë duke u trajtuar ende, ndërsa katër prej tyre janë në gjendje serioze, një në gjendje mesatare, ndërsa të tjerët kanë plagë të lehta.

Gjashtë pacientë të lënduar po trajtohen në Qendrën Mjekësore “Sheba” në Ramat Gan. Prej tyre, tre ndodhen në gjendje kritike dhe tre të tjerë në gjendje mesatare, thotë spitali.

Qendra Mjekësore “Rabin” në Petah Tikva tha se është duke trajtuar tre pacientë të plagosur. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje serioze por stabile, një në gjendje mesatare dhe një ka plagë të lehta.

Dy pacientë me lëndime mesatare po trajtohen në Spitalin “Rambam” në Haifa, sipas njoftimit të kësaj qendre mjekësore./Nacionale

Lajme të ngjashme