Çudë: Franca e akuzon Azerbajxhanin për trazirat në territorin e saj përtej Australisë - NACIONALE

Çudë: Franca e akuzon Azerbajxhanin për trazirat në territorin e saj përtej Australisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Franca e akuzoi Azerbajxhanin të premten për nxitje të trazirave në ishullin francez të Paqësorit, Kaledonia e Re, përmes atyre që i quajti fotografi dhe video hutuese në rrjete sociale që e vinin në shënjestër policinë franceze.

Parisi ka marrë masa kundër protestuesve që po shprehin zemërim për një reformë të kontestuar zgjedhore dhe po mundohet që ta rikthejë rendin në territorin e largët pas tri netëve me trazira gjatë të cilave janë vrarë katër persona, raporton agjencia “Reuters”.

Vëzhguesi qeveritar francez për fushata të dezinformimit, Viginum, njësi e themeluar si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Rusisë në Afrikë, publikoi në raport të premten, ku llogari azere në rrjete sociale identifikohen si shpërndarëse të propagandës anti-franceze.

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, së pari i drejtoi akuzat ndaj Azerbajxhanit të enjten, pa paraqitur ndonjë dëshmi. Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit i mohoi shpejt ato që i quajti akuza fyese dhe përsëri tha të premten se nuk ishte e lidhur me protestat në Kaledoninë e Re.

“Në vend se ta akuzojë Azerbajxhanin se gjoja po i mbështet protestat pro-pavarësisë në Kaledoninë e Re, Franca duhet të përqendrohet në politikën e vet të dështuar ndaj territoreve të largëta, që çoi në protesta të tilla. Ne edhe një herë i bëjmë thirrje Francës që t’i ndalë pretendimet e pabaza kundër vendit tonë” – tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit, Aykhan Hajiyev.

Vëzhguesi francez tha se në fushatë përfshihej një fotografi montazh ku shfaqen protestues të vdekur pro-pavarësisë pranë një burri të bardhë me një pushkë që e mban në pozicion qitjeje, me mbishkrimin: “Policia franceze është vrasëse.”

Sipas vëzhguesit francez, të paktën 86 postime në platformën X janë publikuar nga profile të njerëzve që kanë një lidhje me partinë azere në pushtet, YAP. Ata i përdorën etiketimet #NjiheniKaledoninëeRe dhe #KolonializmiFrancez.

Azerbajxhani më parë ka reaguar me zemërim kundër përkrahjes ushtarake franceze për Armeninë, me të cilën ka zhvilluar dy luftëra në tri dekadat e fundit.

Vitin e kaluar, Azerbajxhani e mori nën kontroll rajonin e Karabakut, ku armenët etnikë gëzonin de fakto pavarësi që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta.

Franca, ku banon një komunitet i madh armenësh, ka shfaqur dhembshuri ndaj Armenisë dhe i ka ofruar pajisje ushtarake këtij shteti.

Lajme të ngjashme