Ç’po ndodh në Afrikë: Kush është grupi M23, nga kush mbështetet e kundër kujt po lufton?
Rebelët e grupit M23, të cilët përkrahen nga Ruanda, duket se e kanë konsoliduar kontrollin e tyre në qytetin Goma të Republikës Demokratike të Kongos. Qyteti që shtrihet në lindje të shtetit të madh afrikan ishte kryesisht i qetë të mërkurën, përpos të shtënave sporadike në disa distrikte në periferi, thanë banorët.
Luftëtarët rebelë, të përkrahur nga trupat ruandeze, marshuan të hënën drejt qytetit që shtrihet në breg liqeni dhe ka gati dy milionë banorë në përshkallëzimin më të rëndë të një konflikti të gjatë në më shumë se një dekadë, duke lënë trupa të shtrirë rrugëve e spitale të stërngarkuara, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ata e morën nën kontroll aeroportin ndërkombëtar të qytetit të martën, veprim që mund ta mbyllë rrugën kryesore të ndihmave për qindra mijëra njerëz të zhvendosur.
Sulmi ndaj qytetit Goma ka nxitur dënime të gjera ndërkombëtare kundër Ruandës dhe thirrje për armëpushim. Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën që të shqyrtonte masa të pasaktësuara për ta ndalur këtë ofensivë.
Në një shkrim të publikuar në rrjetin X, presidenti i Ruandës, Paul Kagame, tha se ai u pajtua në një telefonatë me sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Marco Rubio, për nevojën për armëpushim, por nuk dha shenja për pranim të kërkesave për t’u tërhequr nga qyteti Goma.
“Pata një bisedë produktive me sekretarin Rubio rreth nevojës për të siguruar një armëpushim në Kongon lindor dhe për t’i adresuar shkaktarët rrënjësorë të konfliktit një herë e përgjithmonë” – shkroi Kagame.
Rubio i tha Kagabmes se Uashingtoni është “thellësisht i shqetësuar” nga përshkallëzimi dhe bëri thirrje për respektim të “integritetit territorial sovran”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit të ShBA-së.
Ofensiva e grupit M23 është më e reja në një varg kryengritjesh të udhëhequra nga grupi etnik Tutsi dhe të mbështetura nga Ruanda, me të cilat është ballafaquar Kongoja që nga pasojat e gjenocidit në Ruandë para 30 vjetëve, kur ekstremistët Hutu vranë pjesëtarë të komunitetit Tutsi dhe Hutus të moderuar, pastaj u rrëzuan nga forcat e udhëhequra nga grupi Tutsi, të drejtuara nga Kagame.
Ruanda thotë se disa nga autorët e rrëzuar kanë qenë duke u strehuar në Kongo që nga koha e gjenocidit, duke formuar grupe militante me aleanca me Qeverinë e Kongos, dhe paraqesin rrezik ndaj pjesëtarëve të komunitetit Tutsi dhe ndaj vetë Ruandës.
Kongoja i hedh poshtë ankesat e Ruandës dhe thotë se vendi fqinj i ka shfrytëzuar grupet militante prokura për të kontrolluar dhe për të plaçkitur minerale fitimprurëse si koltani, i cili përdoret në prodhimin e telefonave të zgjuar.
Pjesëtarët e ushtrive të Kongos dhe Ruandës shkëmbyen zjarr përgjatë kufirit mes dy vendeve të hënën. Ruanda raportoi për të paktën nëntë vdekje./Nacionale/Nasuf Abdyli