Copernicus: Vera e këtij viti, më e nxehta e regjistruar ndonjëherë
Vera e vitit 2024 ishte më e nxehta që është regjistruar ndonjëherë në Tokë, sipas shërbimit “Copernicus” për ndryshime klimatike.
Për më tepër, vera e këtij viti ishte më e nxehta në Evropë, me 1,54 gradë mbi mesataren e periudhës 1991 – 2020, duke e tejkaluar rekordin e mëparshëm, që ishte regjistruar më 2022, raporton televizioni BBC.
Gushti ishte gjithashtu muaji i 13-të në një periudhë 14-mujore ku temperatura mesatare globale e tejkaloi nivelin prej 1,5 grade mbi shkallën e periudhës para zhvillimit industrial.
Edhe pse Britania e Madhe e pati verën më të freskët që nga viti 2015, një pjesë e madhe e Evropës u ballafaqua me një verë më të nxehtë se mesatarja.
Deri më tani këtë vit, temperatura mesatare globale ka qenë për 0,7 gradë mbi mesataren e periudhës 1991 – 2020, që është me e larta e regjistruar ndonjëherë.
Prandaj, është gjithnjë më e mundshme që ky vit do të jetë më i nxehti që është regjistruar ndonjëherë në nivel global, sipas shërbimit të BE-së për klimën, “Copernicus”.
Nëndrejtoresha e këtij shërbimi, Samantha Burgess, tha: “Ngjarjet e skajshme të lidhura me temperaturën që janë parë këtë verë vetëm do të bëhen më intensive.”
Në pjesë të ndryshme të Evropës janë thyer rekorde të temperaturës maksimale këtë verë. Austria e regjistroi verën më të nxehtë ndonjëherë.
Spanja e regjistroi gushtin më të nxehtë, ndërsa Zvicra gushtin e dytë më të nxehtë.
Përderisa vapa në Evropë ishte më e përqendruar në pjesët jugore dhe lindore, moti ishte më i freskët në Irlandë, Britani, në pjesët perëndimore të Portugalisë, në Islandë dhe në jug të Norvegjisë./Nacionale