CNN:Trudeau do të dorëhiqet nga kreu i partisë, por do të mbetet kryeministër
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, do ta njoftojë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Liberale të hënën, por do të mbetet në pozitën e kryeministrit derisa të zgjidhet një udhëheqës i ri, i tha televizionit CNN një burim i afërt me politikanin.
Trudeau pritet që ta japë njoftimin në një konferencë për gazetarë në orën 10 e 45 minuta sipas kohës lokale të hënën (16 e 45 minuta sipas zonës kohore të Kosovës).
Trudeau, kryetar i Partisë Laburiste për 11 vjet e kryeministër qe nëntë vjet, është ballafaquar me gjithnjë më shumë kriza, përfshirë kërcënimin e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, me taksa e dorëheqjen e aleatëve kyçë si dhe rezultatet e dobëta në sondazhe.
Lëvizja e tij do ta linte Partinë Liberale pa udhëheqës para zgjedhjeve të përgjithshme, ku sondazhet tregojnë se ajo do të humbë keq në garë me Partinë Konservatore në opozitë, e cila drejtohet nga Pierre Poilievre. Zgjedhjet duhet të mbahen më së largu deri më 20 tetor, por mund të organizohen edhe më herët.
Ekzekutivi kombëtar i Partisë Liberale, e cila i kontrollon çështjet e udhëheqësisë, pritet të takohet këtë javë.
Qeveria e Trudeaus është goditur nga dorëheqja e befasishme e zëvendëskryeministres dhe ministres së Financave, Chrystia Freeland, vetëm disa orë para se ajo do ta mbante fjalimin rreth përditësimit vjetor fiskal.