CNN: Pas Rafahut, edhe në shkollën e OKB-së në Gaza u përdor bomba amerikane GBU-39 - NACIONALE

CNN: Pas Rafahut, edhe në shkollën e OKB-së në Gaza u përdor bomba amerikane GBU-39

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Televizioni amerikan, CNN, përmes një analize ka konstatuar se në sulmin e natës së kaluar ajror të forcave izraelite ndaj një shkolle të menaxhuar nga OKB-ja në Gaza janë përdorur bomba të prodhimit amerikan, GBU-39, njësoj si në një sulm të para disa ditëve në qytetin Rafah.

Të paktën 45 persona u raportua të jenë vrarë nga ky sulm në pjesën qendrore të Gazës, sipas autoriteteve lokale. Shkolla menaxhohej nga agjencia e OKB-së për refugjatë palestinezë, UNRWA, dhe shërbente si vendstrehim për persona të zhvendosur në kampin e refugjatëve “Nuseirat” në kohën e incidentit, tha zyra mediale qeveritare në Gaza, raporton televizioni CNN.

Zyrtarët në spitalin “Martirët e Al-Aksës” thanë se numri i viktimave mund të rritet, sepse viktima ende po dërgoheshin në atë qendër të enjten në mëngjes.

Ushtria izraelite konfirmoi se e kishte kryer sulmin ajror, në shënjestër të të cilit tha se ishte një kompleks i Hamasit që operonte brenda shkollës. Televizioni CNN nuk mund t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur pretendimet.

Analiza

Sipas një analize të pamjeve nga vendi i ngjarjes nga televizioni CNN dhe të shqyrtuar nga një ekspert i armëve plasëse, municione të prodhimit amerikan janë përdorur gjatë sulmit ndaj shkollës. Televizioni identifikoi fragmente të të paktën dy bombave me diametër të vogël të tipit GBU-39 në një video të incizuar në vendin e ngjarjes nga një gazetar që punon për televizionin CNN.

Kjo është hera e dytë brenda dy javëve që televizioni i njohur amerikan ka qenë në gjendje që ta vërtetojë përdorimin e municioneve të prodhuara në ShBA në sulme vdekjeprurëse izraelite ndaj palestinezëve të zhvendosur. Rasti i parë ishte në sulmin vdekjeprurës të ushtrisë izraelite ndaj një kampi për të zhvendosur në qytetin jugor të Gazës, Rafah, më 26 maj.

Gazeta Nacionale kishte raportuar më 29 maj për sulmin e parë të identifikuar me bombën GBU-39 në Gaza.

Sipas një gazetari në atë zonë që punon për televizionin CNN, shkolla u godit nga të paktën tri raketa që depërtuan në ndërtesën trekatëshe. Besohej se në zonë po strehoheshin rreth 20 mijë njerëz, përfshirë objektin e shkollës, oborrin dhe hapësirën përreth saj, sipas gazetarit.

“Ishim duke fjetur këtu, papritmas i dëgjuam raketat duke rënë. Shkova poshtë duke e mbajtur fëmijën tim, të dy u lënduam, i afërmi im ra martir në atë dhomë” – i tha të enjten televizionit Jaber Abu Daher.

Sipas tij, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, “po i vret civilët, ai nuk është duke vrarë militantë, janë njerëzit e pafajshëm fjetur në një objekt të UNRWA-së… Çfarë bënë fëmijët dhe pleqtë? Çfarë i bënë ata atij? A po kërkon ai njerëz të Hamasit? Shko kërkoji, pse po na vret ne në shkolla”.

Lajme të ngjashme