CNN: Netanyahu ka thënë se operacioni në Rafah duhet të kryhet para nisjes së Ramazanit - NACIONALE

CNN: Netanyahu ka thënë se operacioni në Rafah duhet të kryhet para nisjes së Ramazanit

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i tha Kabinetit të Luftës të enjten se operacioni i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit në Rafah të Gazës duhet të përfundohet deri në fillimin e Ramazanit, më 10 mars, i tha të shtunën televizionit CNN një zyrtar izraelit.

Zyra e Netanyahut tha në një deklaratë të premten se kryeministri izraelit e kishte udhëzuar ushtrinë për planifikimin e “evakuimit të popullsisë” nga qyteti Rafah, raporton televizioni amerikan.

Netanyahu tha gjithashtu të enjten se ushtria izraelite “do të shkojë së shpejti në Rafah, bastioni i fundit i Hamasit”.

Më shumë se 1,3 milion njerëz besohet se ndodhen në Rafah, shumica të zhvendosur nga pjesë të tjera të Gazës, sipas Kombeve të Bashkuara.

Të premten, banorët e Rafah-s dhe njerëz që ishin zhvendosur nga vendbanime të tjera në Gaza i thanë televizionit CNN se ishin të frikësuar dhe se nuk kishin asnjë vend tjetër për të shkuar, nëse Izraeli hyn në qytetin jugor të enklavës, afër kufirit me Egjiptin.

Kombet e Bashkuara janë “tepër të brengosura” për fatin e civilëve në qytet, tha të premten zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, ndërsa shefi i agjencisë humanitare të kësaj organizate, Martin Griffiths, paralajmëroi: “Nuk ka mbetur asnjë vend për të shkuar në Gaza.”

Ai shtoi: “Civilët duhet të mbrohen dhe nevojat e tyre themelore, përfshirë strehimin, ushqimin dhe shëndetin, duhet të plotësohen.”

Lajme të ngjashme