CNN: Izraeli ka propozuar që krerëve të Hamasit t’u mundësohet largimi nga Gaza
Izraeli ka propozuar që udhëheqësve të lartë të Hamasit t’u mundësohet largimi nga Gaza si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë armëpushimi, i thanë televizionit CNN dy zyrtarë të afërt me diskutimet e vazhdueshme ndërkombëtare.
Propozimi i jashtëzakonshëm, për të cilin nuk është raportuar më parë, vjen në kohën kur Izraeli po ka vështirësi për ta arritur qëllimin e shpallur – shkatërrimin e plotë të Hamasit. Pavarësisht luftës gati 4-mujore në Gaza, Izraeli ka dështuar që të kapë ose të vrasë ndonjë udhëheqës të lartë të Hamasit dhe ka lënë të paprekur rreth 70 për qind të forcës luftarake të grupit, sipas vlerësimeve të vetë Izraelit, raporton televizioni amerikan.
Edhe pse propozimi do t’u mundësonte largim të sigurt nga Gaza udhëheqësve të lartë të Hamasit që e kishin organizuar sulmin e 7 tetorit në jug të Izraelit, mbetja e Gazës pa këto figura do të mund ta dobësonte pozicionin e Hamasit në zonën e rrënuar nga lufta si dhe do t’i mundësonte Izraelit që ta vazhdonte ndjekjen e caqeve me vlerë të lartë jashtë vendit.
Zyrtarë të lartë të Hamasit dihet që jetojnë në Doha të Katarit e në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, në mesin e vendeve të tjera jashtë territoreve palestineze. Nga një sulm ajror izraelit këtë muaj u vra një komandant i lartë i Hamasit në Bejrut.
Sugjerimi i Izraelit që udhëheqësve të Hamasit t’u lejohet largimi nga Gaza – edhe pse ka pak gjasa që kjo do të pranohet nga Hamasi – është diskutuar si pjesë e bisedimeve më të gjera për armëpushim të paktën dy herë në javët e fundit, një herë muajin e kaluar në Varshavë nga drejtori i inteligjencës izraelite, David Barnea, e pasta përsëri këtë muaj në Doha me sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, sipas një zyrtari të afërt me këto diskutime.
Presioni mbi Netanyahun
Presioni ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, po shtohet për të ofruar njëfarë zgjidhjeje. “Fitorja e plotë” ndaj Hamasit, për të cilën ai ka bërë thirrje, është larg dhe këtë e ka pranuar vetë. Ndërkohë, është shtuar zemërimi në mesin e izraelitëve për shkak të paaftësisë së Qeverisë për ta siguruar lirimin e më shumë se 100 pengjeve që po mbahen në Gaza.
Izraeli “nuk është duke i arritur objektivat e veta ushtarake”, tha Aaron David Miller nga organizata “Carnegie Endowment for International Peace”. Kjo, e kombinuar me “presionin e pamasë” ndaj Netanyahut dhe qeverisë së tij për t’i sjellë pengjet në shtëpi, sipas Millerit, ka krijuar një situatë ku Izraeli do të ishte i gatshëm që ta propozonte lejimin e largimit të udhëheqësve të Hamasit nga Gaza.
Për më tepër, qëndrimi ndërkombëtar ndaj Izraelit është ashpërsuar për shkak të bombardimit të vazhdueshëm të Gazës, ku janë vrarë mbi 25 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje, që menaxhohet nga Hamasi.
Gjatë dy muajve të kaluar, administrata e presidentit Biden të ShBA-së i ka bërë thirrje haptazi Izraelit që të kalojë në një fazë me operacione të nivelit më të ulët në luftë, për të cilën zyrtarë amerikanë thonë se ka nisur të ndodhë, edhe pse operacionet intensive po vazhdojnë në jug të Gazës.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli