CNN: Gjatë bisedimeve ShBA – Iran, Netanyahu s’e dinte se cilën rrugë do ta zgjidhte Trumpi - NACIONALE

CNN: Gjatë bisedimeve ShBA – Iran, Netanyahu s’e dinte se cilën rrugë do ta zgjidhte Trumpi

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Përderisa Shtetet e Bashkuara dhe Irani u angazhuan në bisedime për armëpushim të martën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e dinte se negociatat po avanconin, por mbeti i pasigurt në lidhje me atë se çfarë do të vendoste aleati i tij, Donald Trump, i thanë disa burime izraelite televizionit amerikan, CNN.

Në terren, Izraeli po përgatitej për një zgjatje të minutës së fundit të afatit për Iranin nga presidenti Trump. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ushtria po qëndronte në gjendje gatishmërie për një përshkallëzim të mëtejmë të mundshëm, thanë tri burime izraelite.

Dy prej burimeve thanë se kishte plane të gatshme për një operacion të kombinuar amerikano-izraelit kundër infrastrukturës kombëtare të Iranit dhe se caqet ishin identifikuar.

“Është i tëri vendim i një njeriu” – i tha televizionit CNN një zyrtar i lartë izraelit dy orë para se të skadonte afati i vendosur nga Trumpi për Iranin. Ishte e paqartë se cilën rrugë do ta zgjidhte kreu i Shtëpisë së Bardhë, por zyrtari tha se kishte “shumë [figura] që po e rrethonin Trumpin dhe po kërkonin që kjo të merrte fund”. Burimi theksoi se nënpresidenti amerikan, JD Vance, i cili ndodhej për vizitë në Hungari për ta mbështetur aleatin e Trumpit, Viktor Orban, para zgjedhjeve atje, luajti një rol “substancial”.

Netanyahu në fund u njoftua rreth vendimit të Trumpit pak kohë para se ai të bëhej publik.

Në një fjalim të mbajtur të mërkurën, Netanyahu tha se armëpushimi hyri në fuqi “në bashkërendim të plotë me Izraelin” dhe se vendi i tij nuk u zu në befasi.

Gjatë javëve të fundit, Netanyahu e dinte se bisedimet mund të çonin në një armëpushim të përkohshëm, por ishte shumë skeptik se mund të arrihej një marrëveshje, edhe kur bisedimet përparuan të martën, tha një burim izraelit.

Burimi tha se Netanyahu ia bëri të ditura Trumpit shqetësimet e tij në diskutime të zhvilluara rishtazi, duke i theksuar kërkesat e Izraelit që të eliminoheshin kapacitetet e Iranit për pasurimin e uraniumit dhe zhvillimin e raketave balistike, si dhe të kufizohej aktiviteti i grupeve që Teherani i mbështet në rajon.

Një burim izraelit i afërt me bisedimet tha se Izraeli punoi gjatë natës me ShBA-në për t’u siguruar që Uashingtoni nuk do ta pranonte kërkesën e Iranit që Libani të jetë pjesë e marrëveshjes së armëpushimit./Nacionale

Lajme të ngjashme