Çmimet globale të ushqimit arritën kulm 19-mujor në nëntor, thotë OKB-ja - NACIONALE

Çmimet globale të ushqimit arritën kulm 19-mujor në nëntor, thotë OKB-ja

1 vit më parë

nga NACIONALE

Indeksi i çmimeve të ushqimit i Kombeve të Bashkuara u ngrit në nëntor në nivelin më të lartë që nga prilli i vitit 2023, duke e shënuar rritjen më të madhe në 19 muaj si pasojë e shtrenjtimit të vajrave bimore, treguan të dhënat të premten.

Indeksi i çmimeve, i cili përpilohet nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) e OKB-së për t’i përcjellë çmimet e mallrave ushqimore më të tregtuara globalisht, shkoi në 127,5 pikë muajin e kaluar, nga 126,9 pikë në tetor, duke e arritur nivelin më të lartë në 19 muajt e fundit dhe 5,7 për qind më lart se një vit më parë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Indeksi i çmimeve të vajrave bimore u ngrit për 7,5 për qind mbi nivelet që u panë një muaj më parë dhe 32 për qind mbi ato që janë regjistruar para një viti, i nxitur nga shqetësimet për rendiment më të ulët se që pritej të vajit të palmës për shkak të reshjeve të shumta në Azinë Juglindore.

Çmimet e vajit të sojës u ngritën për shkak të kërkesës më të fuqishme globale për import, ndërsa u shtrenjtua edhe vaji i lulediellit.

Sidoqoftë, disa indekse të tjera shënuan rënie. Çmimet e drithërave u ulën për 2,7 për qind në krahasim me tetorin falë çmimeve më të ulëta të grurit dhe orizit, ndërsa çmimi i sheqerit ra për 2,4 për qind nga tetori.

Në një raport tjetër, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e zvogëloi parashikimin për rendimentin global të drithërave më 2024 nga 2,848 miliardë tonë në 2,841 miliardë tonë, rënie prej 0,6 për qind nga viti i kaluar, por ende rendimenti i dytë më i lartë që është regjistruar ndonjëherë.

Lajme të ngjashme