Çmimet e naftës jetike për Rusinë, por së pari vjen interesi kombëtar, thotë Kremlini - NACIONALE

Çmimet e naftës jetike për Rusinë, por së pari vjen interesi kombëtar, thotë Kremlini

1 vit më parë

nga NACIONALE

Çmimet e naftës luajnë rol jetik në buxhetin e Rusisë dhe në ekonominë ruse në përgjithësi, por interesat kombëtare ruse vijnë para çdo gjëje tjetër, tha të martën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ai po i komentonte komentet e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili sugjeroi se homologu i tij rus, Vladimir Putin, mund të jetë më i prirë për ta zgjidhur konfliktin në Ukrainë pas rënies së çmimeve të naftës rishtazi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Çmimet e naftës nuk mund të jetë faktor që mund të ndikojnë në qëndrimin e Rusisë ndaj interesavve kombëtare. Interesat kombëtare të Rusisë janë mbi gjithçka tjetër, mbi çfarëdo çmimi të naftës” – shtoi ai.

Sipas Peskovit, Rusia është duke punuar me organizatën OPEC+ për t’u siguruar që çmimet e naftës të mbeten në nivel optimal.

“Natyrisht, çmimi ndërkombëtar i karburanteve është një faktor shumë i rëndësishëm për formimin e buxhetit në vendin tonë dhe për ekonominë ruse si tërësi” – pranoi zëdhënësi i Kremlinit.

“Ai mbetet i rëndësishëm dhe këtu, natyrisht, Rusia, siç e dini, ka qenë duke punuar me OPEC+ për një kohë të gjatë për t’i mbajtur çmimet në një nivel optimal. Çmimet tepër të larta dhe çmimet shumë të ulëta, natyrisht, ndikojnë negativisht në ekonominë globale si tërësi, prandaj kjo punë vazhdon këtu” – tha më tej Peskovi.

Kur u pyet rreth përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për përfundimin e luftës me Ukrainën, ai tha se puna me Shtetet e Bashkuara është duke vazhduar.

Lajme të ngjashme