Çka janë bombat me fosfor të bardhë të cilat po përdoren nga Rusia në Ukrainë?
Ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë hyn në muajin e saj të dytë dhe pasi u dëshmua se ky pushtim ishte çdo gjë tjetër veç formalitetit që Vladimir Putini duket se e priste, shqetësimet për përdorimin e armëve kimike nga forcat ruse për të arritur një fitore, sa vijnë e rriten. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka pretenduar se Rusia ka gjuajtur kimikate shumë të ndezshme, duke i përdorur shpesh në fushë betejë, për të sulmuar civilët.
Në një samit të liderëve të NATO-s, të mbajtur në Bruksel javën e kaluar Zelensky tha se civilët ne qytetet ukrainase janë sulmuar me municione me fosfor të bardhë.
“Sot në mëngjes, meqë ra fjala, u përdorën bomba fosfori. Bomba ruse me fosfor. Të rriturit u vranë përsëri dhe fëmijët u vranë përsëri”, tha ai.
Ndërkohë, edhe presidenti i ShBA-së, Joe Biden në të njejtën mbledhje paralajmëroi se shpërthimi i luftës kimike ishte "një kërcënim real" ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se çdo veprim i tillë "do të ishte një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar" që do "të kishte pasoja të gjera" dhe do ta ndryshonte tërësisht natyrën e konfliktit.
Komentet e Zelenskyt erdhën pasi nënkryetari i forcës policore të Kievit, Oleksiy Biloshytskiy, postoi një video në Twitter më 22 mars, ku shfaqej një raketë që digjej e vendosur në tokë. Nënkryetari videon e postuar e kishte shoqëruar me komentin: “Një tjetër përdorim i municioneve fosforike në Kramatorsk".
Para kësaj video të shpërndarë, zyrtarët ukrainas kishin akuzuar disa herë Rusinë për përdorimin e fosforit të bardhë në sulmet ndaj qyteteve Lutsk në perëndim dhe Popasna në lindje.
Municione thërrmuese gjithashtu supozohet se janë gjuajtur në objektiva ukrainase që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se vetë Kremlini ka pranuar se ka përdorur raketa termobarike.

ÇFARË ËSHTË FOSFORI I BARDHË?
Fosfori i bardhë është një substancë e verdhë ose e pangjyrë, ka një strukturë të ngjashme me dyllin dhe mbanë një erë të dobët hudhre, e cila kur bie në kontakt me oksigjenin në ajër ndizet menjëherë duke krijuar një shtëllungë të ndritshme tymi.
Fosfori nuk mund të shuhet me ujë dhe digjet në temperaturë deri në 1300 gradë Celsius.
Ky acid përdoret zakonisht në lufta për të krijuar ekrane tymi në mënyrë që të fshehen lëvizjet e trupave si dhe për ndriçim të fushë betejës gjatë natës apo për shënim të objektivave. Megjithatë, për shkak të këtyre aplikimeve praktike dhe faktit që nuk synon drejtëpërdrejtë jetën e njeriut, Konventa e Armëve Kimike e vitit 1993, nuk e njeh substancën si armë kimike.
Por, kjo substancë përdoret si një armë ndezëse dhe mund të gjymtojë, helmojë apo vrasë, pasi që dihet se shkakton dëmtim të menjëhershm të mushkërive, zemrës, mëlçisë, veshkave dhe mund të digjet përmes muskujve deri në kockë, shpesh duke shkaktuar djegie të shkallës së tretë që zakonisht kërkojnë transplantim të lëkurës.

Protokolli III i Konventës mbi Armët Konvencionale të vitit 1980 ndalon në mënyrë eksplicite përdorimin e fosforit të bardhë si armë kundër popullatës civile, duke bërë një dallim midis luftëtarëve dhe joluftëtarëve, që do të thotë se protokolli shkelet vetëm nëse qëllohet mbi grupin civil.
Ndërsa, neni 35 i Protokollit I të Konventave të Gjenevës përcakton se çdo armë që shkakton "vuajtje të tepërt ose të panevojshme" është e jashtëligjshme dhe potencialisht përbën një krim lufte.
Megjithatë, fosfori i bardhë është përdorur në një numër rastesh vitet e fundit, veçanërisht nga koalicioni i udhëhequr nga ShBA-të në Betejën e Falluxhas gjatë Luftës së Irakut në vitin 2004, nga Izraeli në Gaza në vitet 2008/09, nga Rusia kundër popullit të Aleppos gjatë ndërhyrjes në luftën civile siriane të vitit 2016 dhe në luftën kundër ISIS-it në Mosul në vitin 2017.
Fosfori i bardhë nisi të shpërndahet si armë në Luftën e Parë Botërore e po ashtu edhe në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa me emër njihet si “WP” ose “Willy Pete”.
