Çka është "Lufta e Ftohtë", që u përmend nga Rusia?
“Lufta e Ftohtë” është një term që dëgjohet mjaft shpesh në diskursin politik dhe jo vetëm.
Së fundmi, ishte Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, ai që e përmendi atë, duke thënë se "Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t'u kthehen marrëdhënieve të Luftës së Ftohtë".

Por, çfarë nënkupton “lufta e ftohtë” dhe nga rrjedh?
Origjina
Dihet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Ish-Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, ishin shtete aleate në Luftën e Dytë Botërore dhe në fund triumfuan. Por, miqësia trepalëshe nuk zgjati shumë pas luftës për shkak të dallimeve të mëdha konceptuale, ideologjike.
Në njërën anë ishte Bashkimi Sovjetik, që përhapte ideologjinë e skajshme majtiste, që nuk e përkrahte ekonominë e mbështetur në konkurrencë, plularizmin e transparencën, kurse në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ideologji të djathtë, mbështetur në ekonomi të lirë të tregut, demokraci dhe pluralizëm. Pra, ishin dy botë tërësisht të ndryshme dhe kjo kishte prodhuar kundërthënie të mëdha në mes të dy superfuqive botërore të kohës.
Nuk ka një datë fikse se kur ka filluar “Lufta e Ftohtë”, por, shumë njerëz e marrin për bazë fjalimin e famshëm të Winston Churchill, më 5 mars të vitit 1946, ku ai kishte përmendur “perden e hekurt”, e cila sipas tij, kishte ndarë Europën në dysh. Pastaj u kuptua që, në fakt, ishin dy kampe të mëdha: Kampi Perëndimor (udhëhequr nga SHBA) dhe ai Lindor (udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik).
Për ta shuar çdo dyshim, ish-Presidenti Harry Truman, gjatë një fjalimi në Kongresin Amerikan, kishte deklaruar se “Politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të orientohet në ndihmën e njerëzve të lirë, që janë duke i rezistuar nënshtrimit të grupeve të vogla të armatosura, apo dhe presioneve të jashtme; duhet dhënë ndihmë njerëzve të lirë, që ta zgjedhin vet fatin e tyre”. 
Ky fjalim 18-minutësh ishte i drejtuar kundër politikës zgjeruese sovjetike.
Ngjarjet kryesore
“Lufta e Ftohtë” ishte shtrirë në dimensione të ndryshme dhe kishte kapluar pjesë të ndryshme të globit.
Ajo ishte paraqitur në Gjermani, e cila ishte ndarë në dy pjesë, me pjesën perëndimore që kontrollohej nga kampi SHBA-Mbretëri e Bashkuar-Francë dhe pjesën lindore, kontrolluar nga Bashkimi Sovjetik.
Madje, kjo e fundit kishte bllokuar hekurudhat, rrugët tokësore dhe qasjet tjera të Kampit Perëndimor, shtetet e së cilit dërguan ndihma me aeroplanë për qytetarët e Gjermanisë Perëndimore, të cilëve u dhuroheshin artikuj ushqimorë, naftë dhe gjëra tjera të domosdoshme.
Falë ndihmës së Kampit Perëndimor, Gjermania Perëndimore filloi të zhvillohet shumë, duke e lënë mbrapa Gjermaninë Lindore. Njerëzit filluan të lëvizin masivisht nga pjesa lindore drejt asaj perëndimore për një jetë më të mirë. Për ta penguar këtë, sovjetikët e ndërtuan Murin e Berlinit.
Plani Marshall përfshinte një ndihmë të madhe financiare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me qëllim të rindërtimit të shteteve të prekura nga lufta dhe zhvillimit të tyre, në mënyrë që të krijohej stabilitet i mjaftueshëm për funksionim të demokracisë.
Ky plan ishte hartuar nga Ish-Sekretari i Shtetit, George Marshall, i cili kishte fituar çmimin Nobel për Paqe.
13 miliardë dollarë u shpërndanë në shumë shtete europiane, në përputhje me kontributin e dhënë në luftë.
Kjo ndihmë ishte dhuruar, ndër tjera, për shkak se Shtetet e Bashkuara të Amerikës druanin se varfëria dhe papunësia mund të ndikonin drejtpërdrejt në rritjen e komunizmit.
Për t’iu kundërpërgjigjur zgjerimit sovjetik, më 1949 u krijua NATO (SHBA, Kanada, Belgjika, Holanda, Luksemburgu, Franca, Italia, Islanda, Danimarka, Norvegjia, Portugalia, Mbretëria e Bashkuar). Në po atë vit, Bashkimi Sovjetik prezantoi bombën atomike, të cilën e kishte vetëm SHBA deri në atë kohë. Si kundërpërgjigje ndaj NATO-s, BRSS krijoi Paktin e Varshavës (BRSS, Rumania, Hungaria, Polonia, Bullgaria, Çekosllovakia, Gjermania Lindore, Shqipëria) në vitin 1955.
Të dyja kampet shfrytëzonin rastet për të ndërhyrë në konflikte të brendshme të shteteve të ndryshme, me qëllim të shtrirjes së ndikimit të tyre respektiv. Kështu, BRSS kishte mbështetur Partinë Popullore të Kinës në Luftën Civile Kineze, kurse SHBA kishte përkrahur kundërshtarët e saj; ndërhyrja u pa edhe në Luftën Koreane, në të cilën Koreja e Jugut kishte përkrahjen amerikane, kurse Koreja Veriore atë sovjetike; ngjashëm, në Turqi dhe Greqi, BRSS përkrahte partitë komuniste. SHBA, përmes ndërhyrjes në forma të ndryshme, kryesisht mbështetjes financiare, arriti ta parandalojë ngadhnjimin komunist në këto dy shtete dhe të dyja u anëtarësuan në NATO më 1952.
Ndërhyrja në shtete të ndryshme nuk bëhej vetëm përmes mbështetjes politike dhe financiare, por edhe ushtarake. Me qëllim të shtrirjes së komunizmit, BRSS kishte dërguar trupa në Gjermani Lindore (1952), Hungari (1956), Çekosllovaki (1968), Afganistan (1979).
Nga ana tjetër, SHBA kishte okupuar Republikën Dominikane (1965) dhe Grenadën (1983), kishte luftuar pa sukses në Vietnam (1964-75), kishte përkrahur një pushtim të pasuksesshëm të Kubës (1961) dhe kishte dhënë ndihmë në rrëzimin e një qeverie të majtë në Guatemalë (1954). Madje, kishte përkrahur dhe muxhahedinët kundër qeverisë afgane, të përkrahur nga BRSS (1979-89).
Rasti më dramatik konsiderohet kriza e 1962 në Kubë, ku BRSS kishte dërguar disa armë në shtetin pranë SHBA, duke shtuar frikën e një sulmi sovjetik ndaj SHBA-ve. Kjo ishte kundërpërgjigje për vendosjen e disa raketave amerikane në Turqi. Por, amerikanët pranuan t’i tërheqin këto raketa dhe u zotuan se nuk do ta pushtonin Kubën. Andaj, si rrjedhojë, BRSS i tërhoqi raketat e veta duke ulur frikën e një konfrontimi bërthamor.
Në fund të viteve të 80-ta, “Lufta e Ftohtë” po shkonte drejt përfundimit. BRSS ishte dobësuar ekonomikisht, si pasojë e investimit të madh në ushtri, gjë që kishte rritur varfërinë në vend dhe kishte shkaktuar pakënaqësi në popull. Në anën tjetër, shtetet perëndimore po zhvilloheshin me hapa të mëdhenj. Me ardhjen e Gorbachev në pushtet, BRSS kishte filluar disa reforma, të cilat synonin hapjen e shtetit dhe decentralizimin e ekonomisë.
Me këto reforma, BRSS ishte duke u larguar nga komunizmi dhe dalëngadalë kishte filluar ta humbte ndikimin në shtetet satelitore, në të cilat kishin ardhur në pushtet parti demokratike (Gjermani Lindore, Poloni, Hungari, Çekosllovaki) dhe procesi i shpërbërjes së BRSS u bë i pashmangshëm.
Më 1989 u rrëzua Muri i Berlinit, dhe më 31 dhjetor 1991 BRSS u shpërbë përfundimisht. Kështu përfundoi “Lufta e Ftohtë”.
Lidhur me termin
Gjatë kohës së “Luftës së Ftohtë”, SHBA dhe BRSS kanë përdorur pothuajse çdo lloj mjeti kundër njëra-tjetrës, por, asnjëherë nuk ka pasur konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak. Pikërisht për shkak se nuk ka pasur luftë amerikano-sovjetike, përdoret mbiemri “e ftohtë” për ta përshkruar gjendjen tejet të tensionuar ndërmjet dy shteteve, e cila kishte të gjitha përmasat e një lufte, me përjashtim të përdorimit të armëve ndaj njëra-tjetrës.
Sidoqoftë, ky term është përdorur për herë të parë nga novelisti George Orwell më 1945 në një ese të titulluar “Ti dhe Bomba Atomike”.